Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka ngritur alarmin se në Kosovë tashmë janë hapur shumë profile fallco në rrjete sociale që prodhojnë lajme e përmbajtje me qëllim të ndikimit në zgjedhje.
Kryeziu vlerëson se në Kosovë në vend që dezinformimi të luftohet dhe minimizohet është shndërruar gati në mjetin kryesor të të zgjedhurve në pozita politike e shtetërore, njofton Dukagjini.
“Në vend që dezinformimi të luftohet dhe të minimizohet, tek ne është shndërruar gati në mjetin kryesor të të zgjedhurve dhe të emëruarve në pozita politike e shtetërore. Për një kohë të gjatë, përveç kundërshtarëve politikë, shënjestër kryesore janë bërë mediat, gazetarët, analistët dhe aktivistët e shoqërisë civile”.
“Demokracia nuk matet vetëm me ditën e e votimit dhe pranimin formal të rezultateve, por si ta mbrojmë të vërtetën, integritetin e institucioneve dhe themelin e kulturës sonë demokratike nga manipulimet e qëllimshme për të ndikuar zgjedhjet. Nuk mund të aspirosh zgjedhje me integritet, e as shtet demokratik, nëse karrigen e pushtetit dhe të shtetit e përdor si mjet për dezinformim, shpifje e linçim”, ka shkruar Kryeziu.
