Institucionet e Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë hedhur dritë mbi vdekjen e Daorsa Spahija e cila vdiq tragjikisht më 5 nëntor në Tetovë, ku edhe po studionte.
Në vendlindjen e saj, në Gjakovë, këtë të diel do të mbahet një protestë ku kërkohet drejtësi për 24-vjeçare, njofton Dukagjini.
Protesta është paralajmëruar të mbahet me fillim në ora 12:00 në Parkun e Qytetit në Gjakovë.
“Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent për dhunën psiqike dhe fizike ndaj Doarsa Spahija. Askush s’është mbi ligjin. Ne nuk do të heshtim”, thuhet në njoftimin e protestës.
Kujtojmë se mbrëmjen e 5 nëntorit, 24 vjeçarja, Daorsa Spahija, u gjet e vdekur poshtë objektit të një banese, teksa u raportua që ajo është hedhur nga ballkoni i ndërtesës ku jetonte.
Prokuroria disa orë më vonë konstatoi se vdekja nuk është rezultat i ndonjë krimi, por nga ky institucion ende vazhdojnë hetimet duke mos dhënë detaje.
Megjithatë familjarët dhe miqtë e viktimës thonë se vdekja e Daorsës lidhet me personin H.S. (30) nga Kumanova me të cilin ajo ishte në lidhje, i cili është i njohur për organet e rendit në RMV.
