Sejdiu akuzon qeverinë: Prishtina po përdoret si peng politik, historia e bllokadës po përsëritet

Ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka publikuar një reagim të ashpër ndaj qeverisë në detyrë, duke e akuzuar se po e përdor kryeqytetin si mjet presioni politik dhe se po rrezikon të përsërisë skenarin e bllokadës së viteve 2015–2017, atëherë kur blerja e autobusëve të rinj për transportin publik ishte sabotuar për dy vjet rresht.

Sejdiu kujtoi se në vitin 2017, Prishtina mori 51 autobusët e rinj pas më shumë se 30 vjetësh pa investime, por vetëm pasi qytetarët protestuan, firmosën peticione dhe ushtruan presion ndaj qeverisë së atëhershme të LDK-së, e cila – sipas tij – i bllokoi procedurat me qëllim politik vetëm sepse projekti vinte nga një komunë e udhëhequr nga Vetëvendosja.

Sipas Sejdiut, e njëjta logjikë e bllokadës po rikthehet sot, por me një rrezik shumë më të madh. Ai paralajmëroi se nga nesër Prishtina mund të mbetet pa transport publik, duke akuzuar qeverinë se po e përdor këtë krizë për të “kontrabanduar idenë e votimit të buxhetit”, ndonëse, siç thotë ai, një qeveri pa mandat nuk ka të drejtë të marrë vendime që krijojnë detyrime të reja financiare.

“Kjo është strategji, jo rastësi: krijo krizë, krijo panik, fajëso të tjerët, dhe pastaj paraqitu si shpëtimtar”, shkroi Sejdiu, duke shtuar se skenari që ai e ka përshkruar prej javësh po shfaqet “live” para qytetarëve.

Ai theksoi se sot situata është shumë më e rëndë sesa ajo e vitit 2017, pasi – përveç transportit publik – sipas tij, po cenohet rendi ligjor dhe kushtetues i vendit.

“Po testohet kufiri i Republikës. Nëse sot pranojmë që një qeveri pa mandat mund të përdorë qytetin për presion politik, nesër do të pranojmë që mund të përdorë edhe shtetin. Kështu fillojnë rrëshqitjet”, paralajmëroi ish-nënkryetari.

Sejdiu kujtoi se në të kaluarën transporti publik i Prishtinës ishte ringritur nga zero – me vetëm gjashtë autobusë funksionalë dhe 24 muaj paga të papaguara – por theksoi se sot nuk është koha për lavdi, por për reagim.

“Nuk është koha me kujtu meritat. Sot është koha me ngritë zërin. Sepse është e qartë që kjo qeveri s’po e mbron as qytetin, as interesin publik. Po e mbron vetëm pushtetin e vet”, shkroi ai.

Në fund, Sejdiu ka bërë thirrje që qytetarët të mos heshtin.

“Kur qytetarët heshtin, pushteti bën çfarë të do. Kur qytetarët flasin, pushteti ndalet. Prishtina nuk guxon me mbetë peng i askujt. Prishtina nuk guxon me hesht”, ka shkruar ai në Facebook.

Shija e redaktorit

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

UEFA publikon oraret e play-off-it të Botërorit 2026: Kosova dhe...

UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45. Si...

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Të fundit nga rubrika