Ylli i Barcelonës, Pedri, pritet të jetë pjesë e udhëtimit të ekipit drejt Londrës për ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve kundër Chelsea-s, edhe pse nuk do të jetë i gatshëm të luajë.
Mesfushori spanjoll vazhdon të mbetet jashtë fushave për shkak të një lëndimi, por megjithatë pritet të shoqërojë skuadrën për një arsye më personale.
Pedri mbush 23 vjeç të martën, pikërisht ditën kur Barcelona luan në “Stamford Bridge”.
Sipas gazetarit Javier Miguel nga “Diario AS”, lojtari ka dëshirë ta kalojë ditëlindjen pranë shokëve të ekipit.
“Pedri mund të udhëtojë në Londër për t’u çlodhur. E martja është ditëlindja e tij dhe ai do të donte ta festonte me skuadrën. Ai do të udhëtonte pa leje loje dhe është plotësisht e pamundur që të luajë”, ka thënë Miguel.
Ndërkohë që Pedri nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen në Londër, trajneri Hansi Flick ka një lajm të mirë për mesfushën e Barcelonës.
Frenkie de Jong, i cili mungoi në fundjavë ndaj Athletic Bilbaos për shkak të pezullimit, do të rikthehet në dispozicion.
Pavarësisht mungesës së tij, Barcelona arriti të fitojë bindshëm 4-0 ndaj Bilbaos.
Tani, de Jong pritet të kthehet direkt në formacionin titullar për sfidën kundër Chelseat, kampionëve të Botës për klube, një ndeshje që shihet si një test i vërtetë për blaugranat këtë sezon.
