Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë u mblodhën sot para Komunës së Prishtinës për të kërkuar pagat e tyre të padhëna prej muajsh.
Protestës iu bashkua edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili së bashku me punëtorët marshoi drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar takim urgjent me kryeministrin në detyrë dhe ministrin në detyrë të Financave.
Rama akuzoi Qeverinë se me qëllim po i mban të bllokuara mjetet që i takojnë Prishtinës, duke thënë se Ministria e Financave po vepron në kundërshtim me ligjin.
“Faleminderit për punën që ka bërë Trafiku Urban deri tash poashtu edhe sektori privatë përkundër faktit të vështirësive buxhetore tash e sa muaj që i kemi si rezultat i mosalokimit të mjeteve, të hyrave vetanake të kryeqytetit të cilat me Ligj të Buxhetit i dedikohen kryeqyteti. Janë të hyrat tona, vetanake të qytetarëve e të cilat në mënyrë jo ligjore mbahen peng këtu në Ministrinë e Financave duke u arsyetuar me arsyetime të kota e jo ligjore. Ne kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj Ministrit Hekuran Murati dhe tre zyrtarëve të cilët nuk e kanë kryer punën profesionale…Kjo është sikur paratë e juaja që i keni në bankë me vendos mos me ua dhënë sepse iu ka tekë. Kjo është tentim me iu hedh hi syve”, tha Rama.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i “Trafikut Urban” kërkoi takim urgjent me qeveritarët dhe apeloi për mbështetjen e qytetarëve.
“Kërkojë nga zyrtarët me na prit e me pas një takim për ta hedhur të drejtën në sy. Ftojë qytetarët e Kosovës që të festojnë veç me 1 janar por jo edhe me 28 dhjetor nuk kemi me festu, le ta mbajnë këta festën. I ftojë qytetarët të i hapin sytë para kutive të votimit, se për këtë formacion që ka qenë më parë nuk i kisha votuar asnjë. Le të dalin dhe të mbizotërojë arsyeja, asnjë punëtorët e Trafikut Urban nuk ka me dalë te kutitë, familjet tona me mbetë pa bukë. Po bllokohet Prishtina, shkolla e çerdhet. Ju lutem dilni dhe arsyetojeni veten, nëse nuk është këtu ne shkojmë kërkojmë kudo që është zgjidhja për ne”, tha përfaqësuesi.