Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj institucioneve qendrore, duke akuzuar Qeverinë për mbajtjen e padrejtë të buxhetit të kryeqytetit peng për interesa politike.
Në një postim në Facebook, Rama ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
“Albin, Hekuran, mos rrini në zyra e në xhipa. Hajde takohemi dhe e bëjmë zgjidhjen për punëtorët dhe qytetarët e Prishtinës!
Sot iu bashkova protestës sepse jam dhe do të jem gjithmonë me punëtorët dhe qytetarët e kryeqytetit. Prej një viti kërkojmë zhbllokimin e buxhetit, ndërsa ai vazhdon të mbahet padrejtësisht peng për interesa politike.
Jam me ju punëtorë dhe do të qëndroj në krahun tuaj deri në zgjidhjen e këtij problemi dhe kthimin e shërbimeve që qytetarët meritojnë!
Punëtorët po i presin pagat që u takojnë. Qytetarët po i presin shërbimet që u takojnë. Kryeqyteti po e pret buxhetin që i takon!
Mos bëni politikë me nevojat bazike të qytetarëve. Është e pandershme dhe jonjerëzore”, ka shkruar Rama.