Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka kritikuar Komunën e Prishtinës për, siç thotë ai, dështime të thella në menaxhimin e sistemit të transportit urban dhe urban-periferik.
Përmes një reagimi në Facebook, ai ka theksuar se kryeqyteti është ndër të vetmet komuna në vend që nuk ka miratuar rregulloren e re të transportit, pavarësisht detyrimit ligjor.
Sipas tij, mbi 90% e komunave në Kosovë e kanë përmbushur obligimin e hartimit dhe miratimit të rregulloreve të transportit, ndërsa Prishtina ka mbetur prapa, duke lejuar që shërbimet e transportit të funksionojnë “jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese”.
“Në bazë të ligjit për Transportin Rrugor, të gjitha komunat e edhe Komuna e Prishtinës, kanë pasur obligim ligjor të hartojnë dhe miratojnë rregulloret e reja të transportit në kuvendet komunale.
Sot, mbi 90% e komunave e kanë përmbushur këtë detyrim. Por jo Komuna e Prishtinës.
Aktualisht, transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet po zhvillohet pa rregullore transporti, pra jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese. Ky është një dështim i pastër menaxhues.
Përveç kësaj, komuna ka obligim të hartojë Planin e Transportit, të bazuar në Planin e Mobilitetit, dhe ta dorëzojë në Ministri për miratim, në mënyrë që linjat urbane dhe urban-periferike të mos ndërhyjnë me linjat ndërurbane.
Komuna e Prishtinës as këtë nuk e ka bërë. Përkundrazi, ka improvizuar linja të reja, të pambështetura në plan, të krijuara për efekte elektorale dhe të subvencionuara pa asnjë analizë profesionale.
Qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport, por pothuajse në çdo fushë ku ka nevojë për planifikim, ligjshmëri dhe procedurë. Tani, në prag zgjedhjesh, përpiqen t’ia lënë fajin Qeverisë për dështimet që i kanë shkaktuar vetë.
Kjo nuk është qeverisje. Ky është abuzim me institucionin dhe me qytetarët e kryeqytetit”, ka shkruar Durmishi.