Aktakuzë ndaj ish-komandantit serb D.N. për krime lufte në Zhegër të Gjilanit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj D.N., i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile të kryera në periudhën mars–prill 1999 në fshatin Zhegër të Gjilanit.
Sipas njoftimit zyrtar, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri akuzohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e përcaktuar në nenin 142, lidhur me nenin 30 të Ligjit Penal të RSFJ-së, “ligj i zbatueshëm në kohën e kryerjes së veprës”.
Prokuroria sqaron se D.N. akuzohet për veprimet e tij si komandant i nënstacionit në Zhegër gjatë pranverës së vitit 1999. Sipas aktakuzës, ai “nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 civilëve shqiptarë”, që u kryen nga forcat serbe në atë zonë.
Ndër të tjera, aktakuza përshkruan se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilat vepronin nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa disa ditë më herët, më 27 mars, ishte sulmuar edhe fshati Llashticë.
Prokuroria përmend gjithashtu se D.N., “së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit”.
Në komunikatë thuhet se, edhe pas njoftimeve të dërguara nga të dëmtuarit, i pandehuri “nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për t’i paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes”.

Të fundit nga rubrika