Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar nga ambasadori Malaj, në prag të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë ceremoni, Haradinaj ka përkujtuar aktin historik që i dha jetë shtetit shqiptar të lirë dhe sovran.
Ai theksoi se 28 Nëntori mbetet data më kuptimplote për shqiptarët, duke nisur nga ngritja e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në vitin 1443, shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, e deri te dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997.
“28 Nëntori është emocioni më sublim i çdo shqiptari,” ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të bashkuar në veprim për të drejtën e tyre.
Kreu i AAK-së nënvizoi se identiteti perëndimor i popullit shqiptar është i rrënjosur thellë në qenësinë e tij, ndërsa theksoi synimin e përbashkët.
“Bashkimin në familjen e madhe evropiane, krah për krah, do ta bëjmë realitet”, ka shkruar ai.