Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani është shndërruar në një përkushtim të thellë.
Ai ka theksuar se ky bashkëpunim nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Kurti përmendi se gjatë katër viteve të fundit janë nënshkruar 58 marrëveshje nga gjithsej 184, të cilat prekin drejtpërdrejt qindra mijëra qytetarë çdo ditë.
Ai ka theksuar se ky bashkëpunim nuk është vetëm fjalë, por edhe veprim: rritje e tregtisë me qindra milionë euro, qarkullim energjie pa pengesa, organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, mundësi të barabarta për studentët, 26 vendkalime kufitare të reja dhe projekti madhor i hekurudhës Prishtinë–Durrës.
Ai gjithashtu përmendi hapjen e zyrave doganore, heqjen e vulës apostile, njohjen e pensioneve dhe sigurimeve, njësimin e diplomave dhe lëvizjen pa kontrolle kufitare.
Në fushën e arsimit dhe kulturës, Kurti theksoi abetaren unike, enciklopedinë shqiptare dhe projekte të tjera kulturore mbarëkombëtare.
Ndërsa në fusha si siguria, turizmi, bujqësia dhe drejtësia, ai ka thënë se procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po e bëjnë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve më funksional dhe më të afërt se kurrë.