Ndërkohë në fushëbetejë, forcat ukrainase po përpiqen t’i zmbrapsin forcat ushtarake ruse nga kapja e qyteteve të rëndësishme lindore, përfshirë Pokrovskun, Kostjantinivkën dhe Kupjanskun.
Javën e kaluar, ukrainasit dhe aleatët e tyre evropianë janë familjarizuar me një plan amerikan për paqe – prej 28 pikash – në të cilin janë përfshirë shumë kërkesa për të cilat Rusia ka insistuar prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.
Plani i është prezantuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe këshilltarëve të tij në Kiev nga Sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll.
Zyrtarët ukrainas, më pas, kanë udhëtuar në fundjavë në Gjenevë për t’u takuar me përfaqësues amerikanë, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me qëllim të diskutimit të planit, në mënyrë që të kërkohen më pak koncesione nga Ukraina, dhe që situata të mos rezultojë në atë që Kievi e ka parë si pothuajse kapitullim.
Në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar më 23 nëntor, Shtëpia e Bardhë dhe zyra e Zelenskyt kanë thënë se bisedimet në qytetin zviceran kanë rezultuar me “përparim domethënës” drejt përfundimit të luftës dhe që dokumenti është përditësuar, ashtu që të përcaktojë ruajtjen e plotë të sovranitetit të Ukrainës dhe arritjen e paqes.
“Deri më tani, pas Gjenevës, janë më pak pika – jo më 28 sosh – dhe shumë elementë janë marrë parasysh në këtë kornizë”, ka thënë Zelensky në rrjetet sociale më 24 nëntor.
Ai ka thënë se çështjet më të ndjeshme do t’i diskutojë me presidentin amerikan, Donald Trump.
Më 25 nëntor, zyrtarë ukrainas kanë udhëtuar në Abu Dabi për më shumë bisedime me Sekretarin Driscoll dhe zyrtarë tjerë amerikanë, kanë raportuar mediat CBS News dhe Financial Times.
Disa media tjera perëndimore kanë raportuar se Driscoll do të takohet edhe me zyrtarë rusë në Abu Dabi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 25 nëntor se “nuk ka asgjë për të thënë” rreth raportimeve për takime, por që Rusia beson se propozimi amerikan “mund të shndërrohet në bazë të mirë për negociata”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./RadioEvropaeLirë