Kryeqyteti i Kosovës po përballet me një situatë të pazakontë dhe të rënduar: për të tretën ditë me radhë, qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa transport publik.
Linjat e Trafikut Urban dhe operatorëve privatë kanë pezulluar punën si rezultat i një bllokade financiare, e cila ka shkaktuar përplasje mes Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë në detyrë.
Stacionet e autobusëve janë bosh, ndërsa kolonat e gjata të automjeteve që po krijohen gjatës ditës paralizojnë qarkullimin në shumë pjesë të qytetit.
Transportuesit urbanë dhe sektori privat kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës edhe këtë të mërkurë, ndonëse me një numër më të vogël autobusësh, për të shmangur bllokadën totale të komunikacionit që ndodhi një ditë më parë.
Të martën, dhjetëra autobusë u vendosën para Komunës së Prishtinës, duke bllokuar rrugët kryesore dhe duke krijuar kolona të gjata. Transportuesit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se Komuna nuk ka shlyer obligimet financiare për shkak të mosekzekutimit të buxhetit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mohon se fajin e ka Komuna dhe thotë se bllokada vjen ekskluzivisht nga Ministria e Financave, e cila – sipas tij – po mban të ngujuara të hyrat vetanake të qytetit.
Ai theksoi se, së bashku me bartjen e 28 milionë eurove nga viti i kaluar, gjithashtu të bllokuar Prishtina do të kishte plot 63 milionë euro në dispozicion, shumë e mjaftueshme për të paguar faturat dhe për të ofruar shërbimet bazë.
“Fakti është krejt tjetër, kryeqyteti sot i ka të bllokuara 35 milionë të hyra vetanake të këtij viti. Kryeqyteti në mënyrë konsistente prej opozitës bllokuar në mënyrë konsistente të bartjes së 28 milionë të vitit të kaluar. Vetëm me këto dy bartje kryeqyteti i kishte në konto 63 milionë. Faturat totale, për shërbime ndaj qytetarëve janë dikur rreth 32 milionë. Pra, jo që kryeqyteti ka pare sa të duash. Janë të vetat, janë aty. Por, këta demagogë, këta gënjeshtarë po i përdorin pozitat në qeveri për ta bllokuar kryeqytetin”, ka thënë Rama në Debat Plus.
