Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, me dy pika të rendit të ditës.
- Propozim – vendimi për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në 2025; dhe
- Propozimi për miratimin e buxhetit për vitin 2026.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, gjatë fjalimit të tij deklaroi se do të jetë çdoherë afër qytetarëve.
“Këtu nuk jemi për politika ditore, por për vendime të mëdha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Para nesh janë dy vendime thelbësore për funksionimin normal të kryeqytetit. Kemi bartjen e mjeteve nga viti paraprak në vlerë prej 28 milionë eurove, dhe votimin e buxhetit për vitin 2026-të”, tha Rama.
“Në këtë situatë të ndjeshme financiare dhe institucionale, prioritet absolut janë nevojat e qytetarëve, asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre. Fondet që po i trajtojmë sot do të shfrytëzohen menjëherë për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike, për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike të kryeqytetit”, shtoi ai.
I pari i kryeqytetit i bëri edhe njëherë thirrje ministrit në detyrë të Financave Hekuran Muratit, që t’i miratojë 35 milionë eurot që i takojnë kryeqytetit prej tyre 25 milionë të hyra vetanake dhe 10 milionë grante.
Në këtë seancë po marrin pjesë 41 asamblistë.
Ndërkohë Vetëvendosje dhe PDK-ja konfirmuan se do të votojnë këtë seancë.