Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili kërkoi zhbllokimin e rreth 35 milionë eurove fonde të pashpërndara për kryeqytetin.
Rama kritikoi Ministrinë e Financave për mbajtjen pezull të miliona eurove të të hyrave vetanake dhe një granti qeveritar, të cilat, sipas tij, janë jetike për projektet kapitale dhe shërbimet esenciale në Prishtinë.
Murati, megjithatë, ia ktheu përgjigjen menjëherë, duke vënë në pah votimin e sotëm në Asamblenë e Prishtinës, ku asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbështetur bartjen e të hyrave komunale për vitin 2024, që kapin vlerën e 28 milionë eurove.
Sipas tij, pikërisht ky votim ka mundësuar zhbllokimin e pagesave të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit.
“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Pra atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike.
Sepse, siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet”, ka shkruar Murati.
Kuvendi i Prishtinës voton bartjen e mjeteve vetanake që kapin vlerën 28 milionë eurove