Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka propozuar zgjatjen mandatit të Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Propozimi i Kallas u diskutua javë më parë, në disa trupa të Këshillit Evropian: në Komitetin për Punë të Jashtme dhe Siguri, dhe paraprakisht në Grupin Punues të Këshilltarëve për Punë të Jashtme dhe atë për Ballkanin Perëndimor.
Pa dhënë detaje, në një përgjigje për TV Dukagjinin, Shërbimi i Jashtëm i BE-së konfirmoi përkrahjen për vazhdimin e punës nga diplomati danez.
“Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen gëzon mbështetjen e plotë të Përfaqësueses së Lartë dhe të shteteve anëtare të BE-së. Rezultati i proceseve në Këshillin e BE-së do të kumtohet porsa të kompletohet”, ka thënë Bashkimi Evropian.
Mandati fillestar i Sorensen, i cili nisi punën më 1 shkurt të këtij viti, është 13 mujor dhe përfundon më 28 shkurt 2026.
Në vlerësimin e profesorit Gëzim Qerimi, deri tani – në mandatin e Sorensen dialogu nuk prodhoi asnjë rezultat konkret dhe mund të quhet i dështuar.
“Qoftë në vazhdimi i mandatit të tij apo ndonjë personaliteti tjetër, do të duhej që të vendosej parimi themelor për të përfunduar dialogun Kosovë-Serbi. Nuk do të ketë kuptim dialogu Kosovë-Serbi, nëse pika e parë e këtij dialogu nuk është njohja reciproke me Kosovës dhe Serbisë dhe vlerësoj se të gjitha dështimet janë si rezultat i mungesës së këtij parimi”, ka thënë Gëzim Qerimi, Profesor.
Teksa mungesën e rezultateve e lidhi me një “status-quo”, profesori Sylë Ukshini përmendi faktin se për BE-në dialogu Kosovë-Serbi nuk ishte top prioritet, por edhe zhvillimet e brendshme në të dyja vendet.
“Faji nuk mund të hidhet te Sorenseni, sepse BE-ja nuk ka mjete detyrimi. Mandati i tij është vetë fascilitues dhe duke qenë fascilitues suksesi i tij varet nga gatishmëria e palëve për t’i implementuar marrëveshjet. Në anën tjetër, varet edhe sa presion bën Bashkimi Evropian, sa presion bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Sylë Ukshini, Ish-Diplomat / Profesor.
Diplomati danez, i cili e pasoi në detyrë sllovakun, Miroslav Lajçak, vizitoi Kosovën katër herë: në mars, në prill, në gusht dhe në tetor, ndërsa organizoi disa takime, kryesisht të ndara, në nivel kryenegociatorësh.
Takimi i nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, të cilin, në qershor, Sorensen tha se po e përgatitë, nuk ndodhi.