Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, vlerëson se krijimi i qeverisë nuk duhet të bëhet me çdo çmim e kusht teksa për të njëjtën thotë se është interes.
Rrustemi, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se deputetët duhet të dinë se mbi çfarë standarde e vlera krijohet qeveria që e njëjta të mos jetë ‘qeveri e pazareve’, njofton Dukagjini.
“Zemra na thoshte zgjedhje, mendja dhe arsyeja na thoshte që nuk mund të mbahen dy palë zgjedhje për tre muaj. Por, zemra na thoshte zgjedhje. Problemi i marsit është 80 deputetë për zgjedhjen e presidentit a presidentes”.
“Krijimi i qeverisë është interes, por nuk mund dhe nuk duhet të shihet që me çdo çmim e kusht të krijohet – është e rëndësishme të dihet se mbi çfarë standarde e vlera, krijohet qeveria. E kam ndëgju edhe deputetët e opozitës së si të krijohet qeveria me 41 deputetë – Qeveritë më parë janë krijuar edhe me 15 deputetë por janë bërë pazare me terminale e pozita si ambasadorë e janë bërë në bashkëpunim me Listën Serbe”, u shpreh Rrustemi.
Megjithatë, Rrustemi u shpreh se presin mbështetje masive nga qytetarët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Presim pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, nga pikëpamja jonë presim për ti dhënë një përgjigje qasjes bllokuese gjatë këtyre 8 muajve, qytetarët e kanë në dorë për të thyer bllokadën e opozitës për 8 muaj. Presim mbështetje të madhe e solide për Lëvizjen Vetëvendosje për të krijuar qeverinë “Kurti 3″ për të përfunduar punët e nisura e për të bërë më shumë punë në mandatin e ardhshëm, besoj që qytetarët kanë qenë të vëmendshëm gjatë kësaj periudhe dhe pres që nëpërmjet pjesëmarrjes masive të kemi rezultat sa më të mirë”, tha Rrustemi.