Dronët ukrainas që po godasin arkën e luftës së Rusisë

Fushata e Ukrainës e sulmeve me dronë me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus, duke shënjestruar ndërtesat për prodhimin e naftës dhe gazit, veçse i ka shkaktuar armikut 10 për qind të kapacitetit të tij të rafinerive, sipas ekspertëve të industrisë.

Dhe, Kievi është i përkushtuar që ta intensifikojë fushatën.

“Dhjetë për qind, nuk është një shifër e madhe”, tha Tatiana Mitrova nga Qendra për Politika të Energjisë Globale në Universitetin Columbia.

“Por, është diçka që fillon të ndihet me krizën e brendshme të karburantit rus, me uljen e eksporteve të produkteve të rafinuara të naftës dhe me tensionin e përgjithshëm brenda sektorit rus të naftës”.

Ukraina ka investuar shumë në teknologjinë e re të të dronëve me rreze të gjatë veprimi, duke prodhuar armë si droni Lyutiy, që është i aftë të bartë eksplozivë deri 2.000 kilometra larg nga vendi sekret nga ku lëshohet.

Por, njësitet ukrainase të dronëve kanë bërë përvojë sa i përket sulmeve me dhjetëra dronë përnjëherë, duke përdorur fluturake të lira pa pilot, FPV.

Përparimet teknologjike po i lejojnë aktualisht Kievit të godasë burime kyç ruse të naftës dhe gazit pothuajse në baza ditore.

Ukraina është gjithashtu e përkushtuar të godasë të njëjtat rafineri vazhdimisht, që është një strategji thelbësore, tha Mitrova, pasi Rusia ngarendë t’ rindërtojë ato dhe të riparojë dëmet.

Kievi ka goditur gjithashtu të paktën gjysmën e 38 komplekseve kryesore të prodhimit të Rusisë dhe e ka detyruar Rusinë të ulë përpunimin e naftës nga 5.4 milionë fuçi në ditë në korrik, në vetëm 5 milionë dy muaj më vonë.

Megjithatë, Mitrova theksoi se Rusia operon sistemin e tretë më të madh të rafinimit në botë dhe ka kapacitete të konsiderueshme rezervë.

“Mund të duhen vite derisa rezultati të bëhet vërtet i dukshëm”, tha ajo, “pra nuk po flasim për një kolaps të rafinimit rus së shpejti, por për shterimin e potencialit të tij, që në fakt veçse ka nisur”.

Konsumatorët rusë e kanë ndier dhimbjen e mungesave të benzinës, teksa eksportet e benzinës janë ndaluar. Për më tepër, tha Mitrova, Rusia tani po eksporton më shumë naftë të papërpunuar dhe më pak produkte të rafinuara, gjë që ul ndjeshëm të ardhurat e saj nga eksportet.

Rëndësia e lëndëve fosile për ekonominë e Rusisë vështirë se mund të mbivlerësohet, pasi ato sjellin rreth 100 miliardë dollarë në vit. Megjithatë, kjo shifër është rreth 20 për qind më e ulët se një vit më parë, thonë analistët e industrisë në organizata si Qendra për Kërkimin mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.

Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës, që pothuajse është në vitin e katërt, financohet në masë të madhe nga shitjet e gazit dhe naftës ruse jashtë vendit, gjë që e ka bërë këtë sektor cak të një vale gjithnjë në rritje sanksionesh nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Por, do të ishte naive të mendohej se shënjestrimi i naftës dhe gazit rus, si në aspektin ekonomik ashtu edhe ushtarak, do të shkaktojë efekte të dukshme në terren, tha Mitrova, e cila theksoi se Ushtria ruse zakonisht është e para në radhë kur burimet janë të kufizuara.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai beson se sulmet ndaj rafinerive ruse janë “sanksionet më efektive – ato që funksionojnë më së shpejti”./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

Të fundit nga rubrika