Vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të garojë në koalicion në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
KQZ ka konfirmuar se “Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje” përfshin VV-në, Guxon, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK). Ky është koalicioni i vetëm i një partie të madhe parlamentare në këto zgjedhje.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ku Guxo dhe Alternativa përfshiheshin thjesht në listën e VV-së, kësaj radhe është formalizuar një koalicion i plotë me emër të përbashkët.
Vendimi është dorëzuar në ditën e fundit të afatit për aplikime.
Ndërkohë, partitë e tjera parlamentare – PDK, LDK dhe AAK – kanë zgjedhur të hyjnë të vetme në garë.
Edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, që në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicionit me AAK-në, kësaj radhe garon më vete, pavarësisht se në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk arriti ta kalonte pragun 5 për qind.
KQZ ka konfirmuar edhe dy koalicione të tjera nga radhët e komuniteteve:
– Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, që përfshin Partinë e Ashkalinjëve për Integrim, Partinë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjen për Bashkëveprim.
– Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga Demokratska Stranka Bošnjaka, Bošnjačka Stranka Kosova dhe Demokratska Stranka Vatan.
Në garë si parti të vetme do të jenë edhe: Jedinstvena Goranska Partija, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Kosova Demokratik Türk Partisi, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, SDU, Srpska Lista, Iniciativa e Re Demokratike, Fjala, NDS, LPRK, Kosovski Savez, si dhe dy iniciativa qytetare: “Për socialdemokratët e ashkalinjve” dhe “Iniciativa Qytetare për Kosovë”. Po ashtu ka aplikuar edhe kandidati i pavarur, Nexhmidin Sejdilar.
Sipas rregullave të KQZ-së, koalicionet mbesin të pandashme deri pas certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe partitë që hyjnë në koalicion nuk mund të paraqesin lista të tjera apo të garojnë veçmas.
Deri më 7 dhjetor 2025 është afati i fundit që subjektet politike – përfshirë partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – të dorëzojnë listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë.
Vetëvendosje në koalicion me tri parti për zgjedhjet e 28 dhjetorit