Avokati Tomë Gashi në FIVE në RTV Dukagjini ka folur lidhur me koalicionet dhe subjektet e tjera politike të cilat do të garojnë të vetme në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.
Gashi ka thënë se Vetëvendosje nuk është frikësuar që ka bërë koalicion me partitë e tjera parazgjedhore, duke shtuar se me to ka qenë edhe në të kaluarën dhe se për të “është njëjtë si të jesh pjesë e listës, si të jesh në koalicion”.
“Unë e shoh që është njëjtë… dhe tash janë katër parti bashkë. Mendoj që secili që krijon koalicione parazgjedhore, gjasat i ka shumë më të mëdha që të fitojë dhe qëllimi i Vetëvendosjes nuk është diçka që është e fshehtë”.
“Vetëvendosja tenton që të fitojë mbi 50%, sepse së paku e kemi parë që në këto zgjedhje të 9 shkurtit nuk ka mundur të arrihet asnjë marrëveshje me partitë opozitare dhe për këtë arsye ne faktikisht po kalojmë thuajse një vit pa pasur rezultate të zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe qëllimi i Vetëvendosjes është sikur i çdo partie tjetër, që t’i fitojë zgjedhjet”, ka thënë ai.
Më tej ai ka thënë se, nëse qëllimi i Vetëvendosjes nuk arrihet në këto zgjedhje, Gashi është shprehur se ka frikë që, për inate që kanë partitë politike mes vete, të përsëritet skenari i njëjtë.
“Definitivisht nuk është mirë për shtetin e Kosovës, nuk është mirë për asnjë qytetar të Republikës së Kosovës…”, ka thënë ai.