Izraeli është futur në një tjetër krizë politike dhe juridike pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i ka dorëzuar presidentit Isaac Herzog një kërkesë zyrtare për falje, për t’i ndalur tre proceset gjyqësore për korrupsion ndaj tij.
Në një letër të shkurtër drejtuar presidentit, Netanyahu argumentoi se përfundimi i gjyqit do t’i shërbente interesit publik duke ulur tensionet dhe përçarjet që, sipas tij, proceset gjyqësore kanë shkaktuar në shoqëri.
Ai publikoi edhe një deklaratë ku premton se do të punojë për pajtim kombëtar – por njëkohësisht akuzoi organet e zbatimit të ligjit se e kanë “kurdisur” çështjen kundër tij.
Juristët izraelitë kanë reaguar duke paralajmëruar se kërkesa e Netanyahut qëndron mbi një terren juridik të brishtë.
Faljet presidenciale në Izrael, sipas praktikës dhe vendimeve të mëparshme, zakonisht kërkojnë dy elementë: Përfundimin e procesit gjyqësor ose pranimin e fajësisë nga i akuzuari.
Asnjëri prej këtyre kushteve nuk plotësohet në rastin e Netanyahut. Ai nuk është dënuar dhe vazhdon të deklarojë publikisht se është i pafajshëm.
Profesori, Yedidia Stern paralajmëroi se një falje pa pranimin e fajit jo vetëm që do të ishte juridikisht problematike, por mund të shkaktonte trazira të thella shoqërore, shkruan Times of Israel.
Kundërshtarët e kryeministrit ka gjasa të protestojnë masivisht, ndërsa mbështetësit e tij mund ta interpretojnë si provë se akuzat kanë qenë të motivuara politikisht.
Ekspertët dyshojnë se ekipi ligjor i Netanyahut e di që një falje e plotë është pothuajse e pamundur. Ata besojnë se kërkesa është hapi i parë drejt negociatave për një falje të kushtëzuar, që mund të përfshijë: Pranimin e pjesshëm të përgjegjësisë; Mundësinë e mbylljes së çështjes penale; Dhe ndoshta një afat të dakorduar për largimin e tij nga politika.
Kjo praktikë ka precedent në Izrael: në aferën “Bus 300”, falja u dha vetëm pasi zyrtarët e Shin Bet-it pranuan fajësinë.
Në kërkesën e tij 13-faqëshe, Netanyahu pretendon se proceset gjyqësore po i marrin kohë të çmuar që duhet t’ia kushtojë “sfidave historike” të vendit.
Por ekspertët vërejnë se kjo bie ndesh me deklaratat e tij të vitit 2021, kur këmbëngulte se mund t’i kryente njëkohësisht detyrat e kryeministrit dhe të përballej me gjyqin, pa pengesa.
Dosja e faljes është dërguar në Departamentin e Faljeve në Ministrinë e Drejtësisë, i cili do të kërkojë opinionin e Prokurorisë së Shtetit dhe të Prokurores së Përgjithshme Gali Baharav-Miara. Më pas rekomandimi do të kalojë tek Ministri i Drejtësisë dhe tek këshilltari juridik i presidentit, para se Herzog të marrë një vendim.
Shumë ekspertë presin që Herzog ta refuzojë kërkesën ose ta kushtëzojë me pranimin e fajit. Nëse ai do të jepte një falje të pakushtëzuar, priten padi dhe peticione në Gjykatën e Lartë, edhe pse ndërhyrja e saj ndaj vendimeve presidenciale është e rrallë.
Çështja Netanyahu është shndërruar në një pikë kritike për demokracinë izraelite.
Një falje pa pranimin e fajit mund të minojë besimin në sistemin e drejtësisë, ndërsa refuzimi i saj mund të acarojë më tej një shoqëri tashmë të polarizuar.
Profesori Stern e përshkroi situatën si “një gur dominosh që do të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit”.