Numri i të vdekurve nga zjarri i banesave të larta në Hong Kong u rrit në 159 të mërkurën, pasi autoritetet arrestuan gjashtë persona të dyshuar për çaktivizimin e disa alarmeve të zjarrit gjatë punimeve të mirëmbajtjes në kompleksin e banesave.
Sipas policisë atje viktima më e re në moshë nga këto zjarre është një fëmijë 1 vjeç ndërsa viktima më e vjetër në moshë ishte një 97-vjeçar, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Policia tha se ka përfunduar një kërkim për trupat brenda të shtatë nga tetë kullat e larta të banimit të shkatërruara nga zjarri që shpërtheu për herë të parë të mërkurën e kaluar dhe që u desh deri të premten për t’u shuar teksa rreth 30 persona ende raportohen të zhdukur.
“Ne nuk e kemi përfunduar ende punën tonë,” u tha gazetarëve Komisioneri i Policisë Joe Chow, duke shtuar se zyrtarët do të vazhdojnë të kërkojnë nëpër grumbujt e skelave të rëna për të kontrolluar nëse ndonjë mbetje apo trupa që kanë mbetur atje.
Policia dhe organi anti-korrupsion i qytetit thanë të martën se kishin arrestuar 15 persona ndërsa autoritetet hetojnë korrupsionin dhe neglizhencën në lidhje me punën e rinovimit.
Policia tha të mërkurën se gjashtë persona të cilët dyshohet se çaktivizuan disa alarme zjarri në kompleksin e banesave gjatë punimeve të rinovimit u arrestuan me dyshimin për paraqitje të rreme në departamentin e shërbimeve zjarrfikëse.
Banorët dhe zyrtarët kanë thënë se disa alarme zjarri në ndërtesa nuk u dëgjuan kur shpërtheu zjarri, megjithëse nuk ishte e qartë se sa i përhapur ishte ky problem brenda kompleksit.
Shkaku fillestar i zjarrit ishte ende nën hetim.
Nëntëmbëdhjetë trupa në mesin e 159 ishin ende të paidentifikuar, tha policia. Dhjetë emigrantë që punonin si ndihmës shtëpiak në kompleksin e banesave, përfshirë nëntë nga Indonezia dhe një nga Filipinet, si dhe një zjarrfikës, ishin në mesin e të vrarëve nga zjarri.