Pas përplasjes verbale e madje edhe kontaktit fizik me duar ndaj gazetarëve, në mbledhjen e 2 dhjetorit në hapësirat e KQZ-së, po për të njëjtën ngjarje, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur ALEANCA e GRUPEVE KRIMINALE (AGK) e cila kinse është në MBROJTJE të VRASËSVE me PAGESË!
Në një reagim të gjatë në profilin e tij në Facebook, Kurteshi i ka përmendur disa media duke i cilësuar altoparlantë të krimit të organizuar dhe dezinformimit, duke i zënë në gojë edhe pronarët e tyre.
Gjuhën skandaloze dhe përmbajtjen e përfaqësuesit të VV-së, e ka dënuar ashpër Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, duke kërkuar që praktika të tilla të marrin fund.
“…Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – Bashkimi Europian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj”.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon gjuhën e papërshtatshme, të rrezikshme, linçuese dhe denigruese të Kurteshit ndaj mediave, AGK-së dhe gazetarëve.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha thotë se kjo nuk është hera e parë që Kurteshi përdor gjuhë të urrejtjes, e cila e vë në rrezik real sigurinë fizike të gazetarëve.
“Për herë të parë në fakt i bëjmë thirrje presidentes Osmani që të e shqyrtoj seriozisht largimin e z. Kurteshi nga të qenurit anëtar i KQZ-së. Natyrisht do të duhej të ishte e para Vetëvendosja që ta largonte ta nominonte dikë tjetër për anëtar të KQZ-së, nuk i bën nder një institucioni kaq të rëndësishëm si KQZ të pasurit një anëtar të tillë me një fjalor të tillë me një sjellje të tillë. Në ditën e incidentit në KQZ ai praktikisht i cënoi fizikisht gazetarët duke i prekur me dorë ata”, ka thënë Rexha.
Ndërkohë, distancim nga kjo gjuhë Federata Evropiane e Gazetarëve i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Ju keni përgjegjësinë t’i ndalni këto praktika të ngjashme me ato të mafias. Përndryshe, do të jeni bashkëfajtor në to”, thuhet në letrën e Ricardo Gutierrez të EFJ-së drejtuar Kurtit.