Marina suedeze po përballet “pothuajse çdo javë” me nëndetëse ruse në Detin Baltik, ka deklaruar shefi i operacioneve së saj, Kapiten Marko Petkovic, i cili paralajmëron për një rritje të mëtejshme të pranisë detare të Suedisë.
Ai tha se Moska “po e forcon vazhdimisht” aktivitetin e saj në rajon dhe se vëzhgimi i anijeve dhe nëndetëseve ruse është bërë pjesë e zakonshme e punës së përditshme të marinës suedeze. Sipas tij, numri i këtyre rasteve është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.
Petkovic theksoi se Rusia po modernizon flotën e saj dhe po rrit kapacitetet e saj ushtarake në Baltik. Rajoni, ndërkohë, po përballet me një gamë të gjerë kërcënimesh të reja, duke përfshirë sulme hibride të dyshuara nga dronët, sabotime ndaj infrastrukturës nënujore dhe qarkullimin e anijeve të vjetra të naftës të ashtuquajtura “flota hije”, të cilat transportojnë naftë bruto ruse.
Muajin e kaluar, ministri britanik i mbrojtjes njoftoi se një anije spiune ruse kishte hyrë në ujërat britanike dhe kishte ndezur lazerë drejt pilotëve ushtarakë, duke paralajmëruar se vendi po përballet me një “epokë të re kërcënimesh” nga shtetet armiqësore.
Suedia së fundmi ka zhvilluar një stërvitje të madhe të NATO-s kundër nëndetëseve, të quajtur “Playbook Merlin 25”, me pjesëmarrjen e nëntë vendeve, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në. Qindra ushtarakë ushtruan taktikat e gjuetisë së nëndetëseve në kushtet specifike të Baltikut, me qëllim përgatitjen për një kërcënim të mundshëm nënujore.
Sipas Petkovic, Rusia po prodhon rregullisht nga një nëndetëse të klasës Kilo çdo vit në Shën Petersburg dhe në enklavën e militarizuar të Kaliningradit, e vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë. Ai tha se flota ruse është duke kaluar nëpër një “program modernizimi të qëllimshëm dhe të vazhdueshëm”.
“Pasi të ketë një armëpushim apo marrëveshje ndalimi luftimesh në Ukrainë, mund të presim që Rusia të synojë rritjen e kapaciteteve të saj në këtë rajon. Për këtë arsye, marina suedeze duhet të vazhdojë zgjerimin dhe të fokusohet në panoramën e përgjithshme të sigurisë”, u shpreh ai.
Petkovic paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që paraqet “flota hije” e cisternave të naftës me flamur civil rus, duke mos përjashtuar mundësinë që ato të përdoren për lëshimin e dronëve.