Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, në Debat Plus ka kritikuar ashpër qeverinë për mungesë transparence lidhur me kompaninë NOA, duke thënë se askush nga ekzekutivi nuk ka dalë të tregojë se kush qëndron pas saj dhe çfarë po bëhet me qarkullimin e madh financiar.
“Ku ka shku profiti i NOA Energji? Nuk del në konferencë për shtyp me tregu që një ndërmarrje që i operon 1 miliard euro, që nuk ia dinë profitin, çka po ndodh me ato pare. Nuk falin fare,” u shpreh Gjini, duke ngritur akuza serioze për fshehje të informacionit rreth kompanisë.
Ai paralelisht akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për bashkërendim politik me Milan Radojçiqin dhe Listën Serbe, sidomos në votimin për ligjin e pagës minimale.
“Muj me të thënë që koordinimin më të pastër që e kemi pa najherë mes cilësdo parti politike shqiptare me Listën Srpska ka qenë koordinimi i Vetëvendosjes me Radojçiqin përmes Mimoza Kusari-Lilës për votën për pagën minimale. Esenca e votës për pagën minimale ka qenë përjashtimi i veteranëve të luftës prej konceptit të pagës minimale,” deklaroi ai.
Gjini tha se ky koordinim, përveç se i pastër, ka qenë edhe i fshehtë, duke kujtuar se incizimet e publikuara mund të mos kishin dalë asnjëherë.
“Asnjëherë nuk ka pasur koordinim më të pastër, madje madje përpos që ka qenë koordinim i pastër, ka qenë edhe koordinim i fshehtë. Tjetër gjë është që kanë dalë incizimet — ato incizime kanë mujt mos me dalë kurrë,” tha ai.