Në Ferizaj është ndaluar një shofer i ri, vetëm 19 vjeç, pasi është kapur duke lëvizur me një shpejtësi ekstremisht të lartë brenda zonës urbane.
Policia njoftoi se rasti ndodhi më datë 7 dhjetor, rreth orës 21:26, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj.
Sipas Policisë, i riu O.H., duke drejtuar veturën BMW X3 me targa vendore, u kap duke lëvizur me 162 km/h, në një zonë ku kufiri i lejuar i shpejtësisë është vetëm 50 km/h.
“Policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, më datë 07.12.2025 rreth orës 21:26, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, kanë ndaluar shoferin O.H. (19 vjeç), i cili gjatë lëvizjes të veturës BMW X3 me targa vendore është kapur duke lëvizur me shpejtësi 162 km/h në zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.
Për këtë kundërvajtje të rëndë, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 euro, 5 pikë negative si dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit në territorin e Republikës së Kosovës për 12 muaj.
Matja e shpejtësisë është realizuar me veturën zyrtare të policisë.
Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve të automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, pasi shkeljet e tilla paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Policia do të vazhdojë me intensifikimin e kontrolleve me radarë në të gjitha rrugët e rajonit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe fton qytetarët të raportojnë çdo shkelje në numrat: 192, 0290/326-250, 0290/322-406 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Të gjitha informacionet trajtohen me konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftim.