“Ne qëndrojmë me Ukrainën”, thotë Starmer gjatë takimit në Londër me Zelenskyn

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka theksuar sot se Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj Ukrainës, teksa priti në Downing Street presidentin Volodymyr Zelensky, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën,” deklaroi Starmer, duke theksuar nevojën për një armëpushim “të drejtë dhe të qëndrueshëm”. Ai përsëriti parimin se “çështjet që lidhen me Ukrainën duhet të vendosen nga vetë Ukraina”, duke nënvizuar mbështetjen e Londrës si në fushën e konfliktit ashtu edhe në procesin e negociatave.

Presidenti ukrainas Zelensky falënderoi Starmerin për organizimin e takimit, duke e quajtur një moment të rëndësishëm për diskutimin e çështjeve “të ndjeshme”.

Ai theksoi domosdoshmërinë e unitetit mes Evropës, Ukrainës dhe SHBA-së.

“Ka gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa amerikanët… e ka gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa Evropën,” tha ai.

Nga ana tjetër, Macron deklaroi se “të gjithë e mbështesim Ukrainën dhe paqen”, duke shtuar se Rusia po përballet me një ekonomi gjithnjë e më të dobët.

Ai theksoi se Evropa dhe SHBA duhet të gjejnë një qasje të përbashkët për rrugën e mëtejshme drejt paqes.

Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se “këto mund të jenë ditë vendimtare për të gjithë ne”, duke folur për rëndësinë e këtij raundi negociatash. Ai tha se Gjermania “mbështet fuqishëm Ukrainën” dhe e cilësoi “fatin e këtij vendi si fatin e Evropës”.

Megjithatë, Merz shprehu skepticizëm për disa detaje të dokumenteve të propozuara nga pala amerikane, duke thënë se dëshiron t’i diskutojë ato me liderët evropianë.

Pas deklaratave për media, të katër liderët vazhduan bisedimet me dyer të mbyllura në Downing Street.

Zelensky mbërrin në Londër për takimin vendimtar me Starmerin, Macronin dhe Merz-in

Të fundit nga rubrika