KDI lanson platformën “Integrity Watch Kosova” për monitorimin e integritetit dhe luftimin e korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka lansuar platformën digjitale “Integrity Watch Kosova”, e cila synon të mundësojë monitorimin e integritetit në politikë dhe të ofrojë qasje publike në të dhëna të detajuara mbi deklarimin e pasurisë, prokurimin publik dhe praktikat e transparencës në institucionet shtetërore.

Në hapje të konferencës u theksua se integriteti politik vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të shteteve demokratike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa u nënvizua se platforma e re synon rritjen e llogaridhënies dhe luftimin e korrupsionit.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, potencoi rëndësinë rajonale të programit të integritetit, duke theksuar se bëhet fjalë për një nismë me ndikim të gjerë në luftën kundër korrupsionit.

“Programi i integritetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, shoqëria civile kundër korrupsionit, pjesë të dhënave mbi integritetin publik është një program që udhëhiqet nga KDI në nivelin rajonal. Kjo iniciativë e udhëhequr nga KDI dhe mbështetur nga Komisioni Evropian dëshmon se angazhimi në luftën kundër korrupsionit nuk njeh kufij dhe kërkon veprim të koordinuar midis shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve dhe vetë qytetarëve. Ky hap është një hap konkret të institucioneve më të hapura drejt krijimit të llogaridhënies dhe përgjegjësisë nga institucionet”, tha ai.

Ai foli edhe për sfidat që e karakterizojnë Kosovën në këtë fushë.

“Në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, korrupsioni politik mbetet një ndër sfidat në konsolidimin e shtetit demokratik. Perceptimi për mungesë të ndëshkueshmërisë, lidhjet jo transparente midis politikës dhe biznesit, abuzimet në prokurimin publik, financimi jo i qartë i partive politike, deklarimet jo të plota të pasurisë së zyrtarëve publikë ka dëmtuar për vite me radhë dhe vazhdojnë ta dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike. Të dhënat ekzistojnë, por janë të shpërndara dhe shpesh herë të vështira për t’u kuptuar. Platforma është një mjet i thjeshtë digjital i cili informacionin teknik e bën shumë të lehtë dhe të kuptueshëm për qytetarët”, u shpreh Kryeziu.

Nga ana e tij, Nicola Scaramuzzo, përfaqësues i Bashkimit Evropian nga Seksioni i Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut, paralajmëroi për ndikimin e dëmshëm të korrupsionit në institucionet demokratike dhe proceset politike.

“Korrupsioni cenon thelbin e vetë institucioneve publike, duke gërryer besimin, duke penguar rritjen ekonomike dhe duke shtrembëruar vendimmarrjen politike. Dhe korrupsioni politik, në veçanti, përmes mekanizmave të shumtë. Ka shumë mekanizma, si lobimi, lobimi jo transparent, lobimi i padeklaruar, financimi politik, ose ‘dyert rrotulluese’ të parregulluara. Kjo hap shumë kanale për bizneset dhe grupet e interesit të veçantë për të shtyrë përpara ligje ose vendime në favor të tyre”, tha ai.

Scaramuzzo nënvizoi edhe rëndësinë e angazhimit të BE-së.

“Më lejoni të theksoj se luftimi i korrupsionit mbetet një prioritet kryesor për agjendën e BE-së. Platforma Integrity Watch do t’i ofrojë publikut të Kosovës, siç është thënë nga Drejtori, informacione sistematike mbi zbatimin e ligjeve që lidhen me deklarimin e pasurisë, prokurimin publik dhe kështu me radhë. Ajo do t’u shërbejë jo vetëm qytetarëve të përgjithshëm, por edhe entiteteve të specializuara, ekspertëve, studentëve, studiuesve, duke u ofruar mjete për të studiuar të dhënat e disponueshme dhe për të nxjerrë njohuri lidhur me zbatimin e ligjit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, e vlerësoi platformën si një instrument praktik dhe shumë të vlefshëm për institucionet dhe qytetarët.

“Ky mekanizëm e bën ndërlidhjen e tri databazave tepër të rëndësishme të cilat na japin një pasqyrë të qartë për atë se si po shpenzohen paratë publike në Kosovë dhe se si ajo mund të qarkullojë apo ndikojë pastaj në vendimmarrjen e cila mund të ketë edhe elemente të ndikimit në politikat publike. Për ne si agjenci do të na ndihmojë shumë në identifikimin e rasteve të cilat do t’i hetojmë në bazë të indikatorëve të rrezikut. Secili qytetar i Kosovës, por jo vetëm i Kosovës, mund ta përdorë këtë qoftë për gazetari të mirëfilltë hulumtuese, qoftë për të bërë hulumtime shkencore apo gjysmë shkencore si pjesë të aktiviteteve shkollore akademike. Përveç neve janë dy institucione tjera që janë mjaft të rëndësishme dhe që do të përfitojnë nga ky aplikacion”, tha ai.

Hulumtuesja e KDI-së, Diana Metushi-Krasniqi, e cila prezantoi platformën, e përshkroi atë si një burim të besueshëm për të gjithë ata që kërkojnë informacion të verifikuar mbi integritetin publik.

“Nëse kisha mendu një mënyrë që si me majt në mend Integrity Watch, kisha thënë, nëse ndonjëherë keni dyshime te fjalët e të tjerëve është gjithmonë një burim që mundemi me besu. Është një platformë ku marrim të dhënat publike dhe i bëjmë të dhënat që të flasin, ju japim zë dhe pamje të të dhënave publike në promovimin e integritetit”, u shpreh ajo.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika