Blerim Canaj, ish-diplomat, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me publikimin e listave të kandidatëve nga partitë politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai ka thënë se mospublikimi i listës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje ndoshta ka ndodhur për shkak të radhitjes së kandidatëve në listë dhe peshës së tyre, përfshirë edhe perceptimin e publikut ndaj tyre.
“T’ju them të drejtën, nuk i ka vetëm Lëvizja Vetëvendosje këto, i ka secila parti. Është diçka që gjithmonë ka shkaktuar mes partive dhe vazhdon të shkaktojë”, ka thënë ai.
Canaj ka deklaruar se, pavarësisht se Kurti dhe Dejona Mihaili janë, siç tha ai, “dorë e fortë” brenda partisë, duket se nuk kanë arritur të gjejnë njëfarë mirëkuptimi dhe se kjo sipas tij ka çuar në vonesë të publikimit të listës.
Ai ka shtuar se nuk është e vështirë të caktohen numrat, por duhet ditur në fillim qëllimi i partisë dhe i liderit.
“Në qoftëse lideri është i interesuar të sjellë kualitet, atëherë kualitetin e votojnë vet votuesit. Në anën tjetër, nëse lideri dëshiron që patjetër ta ketë dikë më afër vetes, natyrisht që aty pastaj mund të fillojnë edhe mosmarrëveshjet”, ka thënë ai.