Të fundit e pas orës 24, Lëvizja Vetëvendosje e publikoi listën me 110 kandidatë për deputetë, megjithatë afati për dorëzim në KQZ ishte data 7 dhjetor, jo më vonë se ora 23:59.
Përpos emrit të Faton Pecit i cili mungon sepse është bërë kryetar i Mitrovicës Jugore, dhe është zëvendësuar me Hajrulla Çekun, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka asnjë emër të ri në 10 e parë.
Emër i ri në Listën e Lëvizjes Vetëvendosje, është Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, që më parë kishte qenë deputet nga radhët e PDK-së.
Në dhjetëshen e dytë, pos Hotit pjesë e listës është kryetari i partnerit të ri të koalicioni, Zef Morina, i cili e udhëheqë Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK).
Risi të tjera në listën e VV-së, janë emrat si Skender Thaqi, Rufki Suma, i cili si kandidat i pavarur ka qenë disa herë kryetar i Hanit të Elezit. Edhe Naim Bardiqi, ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, do të garojë në listën e Vetëvendosjes. Lulzim Hetemi që deri tash ka qenë kryetar i Leposaviqi, i është futur garës për deputet.
Koalicioni me tri parti të vogla, Lëvizjes Vetëvendosje ia solli në listë 31 emra të rinj.
PDK
Tek Partia Demokratike e Kosovës, risitë nisin që nga fillimi. Ish-kryetari i partisë Memli Krasniqi, ka hequr dorë nga gara për deputet, për të udhëhequr shtabin zgjedhor të kësaj partie. Në vend të tij, pas Bedri Hamzës në numrin 2 është Uran Ismaili, ish-kandidat për kryetar të Prishtinës, i cili është ngritur në radhitje për tre numra.
Eman Rrahmani me Listën për Familjen, është pa dyshim risia ndër më të mëdhatë në listën e PDK-së, i cili e ka marr numrin tetë, në mesin e 110 deputetëve.
Arian Tahirit i cili ka marr shumë vëmendje në garën për kryetar të Mitrovicës, PDK ia ka rezervuar numrin 30.
Dy numra pas tij vjen ish-kandidatit për kryetar të Gjilanit, Riad Rashiti.
Shkumbin Demaliaj i cili më herët ishte pjesë e AAK-së e që për kryetar të Deçanit kandidoi me Iniciativën Qytetare Demokracia, kësaj radhe është në listën e PDK-së, me numrin 47.
Ish-kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pas mandatit tre vjeçar në nivel komunal, është po ashtu pjesë e garës për deputet.
Kësaj radhe në fund të listës në vend të Ilirik Musliut do të jetë, Abelard Tahiri, ish-shef i GP të PDK-së, që ka hequr dorë nga fillimi i listës.
Ardhja e kryetarit të ri, ndonëse pa asnjë koalicion në listën e PDK-së ka sjellë 59 emra të rinj, të cilët janë në garë për deputet.
LDK
Deputetja ndoshta më aktivja e kësaj legjislature, Hykmete Bajrami, nga e 6-ta në lista, tash garon me numrin 3, pozitë e cila më herët ishte e rezervuar për deputet, Doarsa Kica-Xhelilin.
Në top 10-n e parë, përpos ndryshimit të renditjes, janë dy risi, e para është emri i Ferid Aganit, i cili është partner i ri në kuadër të koalicionit me Partinë e Drejtësisë, ndërsa e dyta risi, Ukë Rugova, djali i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili e mbyllë dhjetëshen e parë.
Ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, artistja, Adelina Thaqi, dhe inxhinieri i inovacionit teknologjik Ermal Sadiku, janë risitë tjera të LDK-së në dhjetëshen e dytë.
Ish-Zv.ministri i Infrastrukturës i cili ishte pjesë e AAK-së, Rexhep Kadriu, kësaj radhe do të garojë nën llogon e LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës në listën me 110 deputetë, ka sjellë 46 emra të ri.
AAK e cila është ndarë nga partneri i koalicionit NISMA, publikisht ka propozuar disa aderime të reja.
Lajmi kryesor në listën e tyre ishte pjesëmarrja e ish-kryeministrit, Agim Çeku.
Ardian Kastrati i cili në zgjedhjet e kaluara ishte pjesë e PDK-së, në listën e AAK-së e ka marr numrin 25.
Edhe njëri ndër aktivistë më të vjetër e më të zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Krasniqi do të jetë pjesë e listës me numrin 78.
E NISMA Socialdemokrate, në këto zgjedhje garon e vetme, dhe në top-pesëshen e parë garon me Fatmir Limajn, Xhavehire Izmakun, Arbëreshë Krasniqi, Mevludin Krasniqin si dhe ish-ministrin, Endrit Shala.