Fluksi i ndihmave në Gaza bie nën nivelin e parashikuar nga marrëveshja e armëpushimit

Dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës po mbeten shumë larg sasisë së përcaktuar në marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, sipas një analize të Associated Press mbi të dhënat zyrtare të ushtrisë izraelite.

Organizatat humanitare paralajmërojnë se mungesat e mëdha po godasin rëndë popullsinë prej rreth 2 milionë banorësh në territor. Sipas marrëveshjes së arritur në tetor midis Izraelit dhe Hamasit, Izraeli ishte zotuar të lejonte hyrjen e 600 kamionëve me ndihma çdo ditë në Gaz, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Megjithatë, të dhënat që vetë Izraeli ka publikuar tregojnë se nga data 12 tetor – kur rifilloi qarkullimi i ndihmave – deri të dielën, në Gaza kanë hyrë mesatarisht vetëm 459 kamionë në ditë. Shifrat u siguruan nga COGAT, organi ushtarak izraelit që koordinon qasjen e ndihmave.

Ndihmat nuk arrijnë nivelin e përcaktuar nga armëpushimi

COGAT njofton se rreth 18,000 kamionë me ushqime kanë hyrë në Gaza që nga nisja e armëpushimit, duke përbërë rreth 70% të ndihmave totale të futura në territor gjatë kësaj periudhe.

Sipas këtyre të dhënave, së bashku me artikujt jo-ushqimorë (si çadrat, ilaçet dhe pajisje të tjera), numri total i kamionëve të ndihmave arrin në rreth 25,700 – shumë më pak se 33,600 kamionë, aq sa duhej të kishin hyrë deri të dielën sipas kushteve të marrëveshjes.

Në reagim ndaj analizës së AP, COGAT këmbënguli se numri i vërtetë ditor i kamionëve është “mbi 600”, por nuk dha të dhëna të detajuara për të shpjeguar mospërputhjet. Organizata ka ndaluar publikimin e shifrave ditore që nga nisja e armëpushimit, një vendim që grupet e të drejtave e kritikojnë, duke theksuar se Izraeli zotëron të vetmin akses zyrtar për monitorimin e hyrjes së ndihmave dhe mallrave komerciale.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara thonë se shifrat reale janë shumë më të ulëta. Sipas bazës së të dhënave të OKB-së, vetëm 6,545 kamionë janë shkarkuar në pikat hyrëse të Gazës midis armëpushimit dhe 7 dhjetorit – rreth 113 kamionë në ditë. Këto shifra nuk përfshijnë kamionët e organizatave që nuk operojnë përmes sistemit të OKB-së.

Një dokument i Hamasit i siguruar nga AP vlerëson se nga nisja e armëpushimit e deri të shtunën kanë hyrë 7,333 kamionë ndihmash.

Zyra e OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) paralajmëroi këtë javë për një nevojë “tejet të rëndë dhe urgjente” për më shumë ndihma, duke theksuar se kufizimet izraelite po bllokojnë përpjekjet e rimëkëmbjes.

Ushqimi mbetet i pakët, situata humanitare përkeqësohet

Organizatat humanitare raportojnë se mungesat e ndihmave po godasin fort banorët e zhvendosur të Gazës. Ushqimi mbetet tepër i pakët, ndërsa territori ende po përpiqet të dalë nga uria e përhapur gjatë muajve të luftës.

Një raport i UNICEF tregon se nëna të uritura po lindin foshnja të kequshqyera, disa prej të cilave kanë humbur jetën në spitale. Me intensifikimin e reshjeve të dimrit, mijëra familje që jetojnë në çadra janë ekspozuar ndaj të ftohtit dhe përmbytjeve, pa pajisje për t’u mbrojtur.

“Nevojat tejkalojnë shumë kapacitetet e komunitetit humanitar për t’u përgjigjur, për shkak të pengesave të vazhdueshme,” thuhet në raport. Mes pengesave përmenden mungesa e sigurisë, vonesat në doganë, refuzimi i ngarkesave dhe kufizimet në lëvizjen e ndihmave brenda Gazës.

Izraeli ka ndalur hyrjen e ndihmave të paktën njëherë gjatë armëpushimit, duke akuzuar Hamasin se nuk ka dorëzuar trupat e pengjeve brenda afatit të përcaktuar. Ndërkohë, Hamas thotë se ka hasur vështirësi në gjetjen e trupave për shkak të shkatërrimit masiv në Gaza.

Hamas akuzon gjithashtu Izraelin se po shkel marrëveshjen me ritmin e ulët të ndihmave, mbylljen e vazhdueshme të pikës kufitare Rafah dhe sulmet e vazhdueshme ajrore.

Gazanët mbështeten në dru zjarri për ngrohje

Që nga nisja e armëpushimit më 10 tetor, çmimi i një bombule gazi 12 kilogramëshe është rritur në 1,314 shekelë (406 dollarë) – rreth 18 herë më shumë se para luftës.

Kjo ka detyruar shumë familje të përdorin dru zjarri për gatim dhe ngrohje, përfshirë familjen 23-anëtarëshe Abed në Jabaliya të veriut.

“Jetojmë nën rrënoja dhe flemë mbi mbetje këpucësh dhe çarçafë të grisur. Mbledhim pak dru dhe presim sfungjerë për të ndezur zjarr,” tha 62-vjeçari Marwan Abed për AP. “Ky është i vetmi mënyrë për të mbajtur fëmijët ngrohtë dhe për të gatuar kafenë.”

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika