Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Koalicionit Vakat lidhur me moscertifikimin e kandidates për deputete Ena Krasniqi, motra e ish deputetes Donika Kada.
Vendimi i sotëm i PZAP-it konfirmon në tërësi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e përfshirë Krasniqin në listën garuese për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas dokumentit zyrtar të PZAP-it, ankesa e Koalicionit Vakat është vlerësuar si e pabazuar, ndërsa është theksuar se vendimi i KQZ-së është marrë në përputhje me rekomandimin e Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar.
PZAP ka vlerësuar se KQZ ka vepruar konform rregulloreve dhe kritereve ligjore që përcaktojnë procesin e certifikimit të kandidatëve për zgjedhje.
Paneli thekson se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe argumenteve të paraqitura nga pala ankuese, nuk janë gjetur elemente që do të justifikonin ndryshimin e vendimit të KQZ-së.
“Refuzohet ankesa e subjektit politik Koalicioni Vakat… dhe konfirmohet vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kandidates Ena Krasniqi”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e PZAP-it.
Me këtë vendim, lista e Koalicionit Vakat për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit mbetet pa emrin e Krasniqit, ndërsa subjektit nuk i njihet e drejta e rikthimit të saj në garë.
