Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një audiencë private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë, duke e cilësuar këtë takim si një nder të veçantë.
Gjatë audiencës, Osmani i përcolli Atit të Shenjtë urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij papnor, duke shprehur shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës.
Presidentja Osmani i dorëzoi udhëheqësit shpirtëror të Kishës Katolike edhe një ftesë zyrtare për të vizituar Republikën e Kosovës.
“Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë.
Gjatë takimit i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës. Përcolla poashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë.
Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës.
Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, ka shkruar Osmani në Facebook.