Bruto Produkti Vendor (BPV), i Kosovës ka shënuar rritje prej 3.08 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëjnë të ditura të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, llogaritjet janë bërë duke u bazuar në aktivitetet ekonomike, qasjen në shpenzime, si dhe në çmimet aktuale dhe çmimet e vitit paraprak.
Rritjen më të lartë në këtë tremujor e kanë shënuar aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 8.13 për qind, pasuar nga ndërtimtaria me 7.19 për qind.
Po ashtu, rritje është vërejtur edhe në aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, si dhe në shërbimet administrative dhe mbështetëse, me 4.76 për qind.
Sektori i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit ka shënuar rritje prej 3.42 për qind, ndërsa industria përpunuese është rritur për 3.16 për qind. Rritje është regjistruar edhe në informacion dhe komunikim me 2.95 për qind, si dhe në arte, argëtim dhe çlodhje me 2.66 për qind.
Në të njëjtën kohë, tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti, magazinimi, akomodimi dhe shërbimet ushqimore janë rritur për 2.28 për qind, ndërsa administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale për 1.85 për qind.
Rritje më e ulët është shënuar në industrinë nxjerrëse, energjinë, furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbeturinave, me 1.32 për qind, si dhe në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me vetëm 0.54 për qind.
