Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesën e Besim Kelmendit, ish-ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, duke anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.
Me këtë aktgjykim, lënda i është kthyer KPK-së në rishqyrtim dhe rivendosje.
Gjykata Supreme ka konstatuar se ankesa e Kelmendit është e bazuar, duke vlerësuar se vendimi i KPK-së është marrë me shkelje thelbësore të procedurës, me vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
“APROVOHET e bazuar ankesa e paraqitur nga Besim Kelmendi, UD. Kryeprokurorit të
Shtetit, ANULOHET vendimi KPK.nr.1056/2025, i datës 20.11.2025 si i kundërligjshëm dhe
lënda i kthehet Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje”, thuhet në vendim.
Sipas aktgjykimit, KPK nuk ka respektuar procedurat ligjore lidhur me rendin e ditës, njoftimin e anëtarëve, sigurimin e kuorumit dhe bazën konkrete ligjore për shkarkim.
Në arsyetim thuhet se vendimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit është i paqartë dhe kontradiktor, pasi nuk përcakton saktë nëse shkarkimi është bërë për shkelje të Kodit të Etikës, për performancë të dobët, për keqmenaxhim apo për arsye të tjera të parapara me ligj.
Gjykata thekson se secila nga këto baza kërkon procedurë të veçantë, vërtetim të fakteve dhe respektim të standardeve minimale të një procesi të rregullt ligjor.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka vlerësuar se KPK nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe për marrjen e vendimit për shkarkim, pasi takimi në të cilin është marrë vendimi është zhvilluar vetëm me pesë anëtarë, ndërkohë që ligji kërkon gjysmën plus një të anëtarëve të Këshillit. Sipas aktgjykimit, edhe përjashtimi i ushtruesit të detyrës nga votimi nuk e ul kërkesën ligjore për kuorum.
“Pretendimi i Këshillit se me 5 anëtarë sigurohet kuorumi pasi anëtari ex officio nuk llogaritet, ndërsa 9 janë anëtar të zgjedhur është pretendim i pasaktë dhe jo ligjor, sepse Kryeprokurori apo edhe U.D i Kryeprokurorit është anëtar që nuk zgjidhet përmes procedurave të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit por në mënyrë automatike zgjidhet për shkak të funksionit pra është ex officio nuk nënkupton se është anëtar pa peshë dhe pa të drejtë vote pasi në raste të tilla do të ishte anëtar jo formal, por i njëjti si anëtar është i barabartë sikurse të gjithë anëtarët tjerë dhe merr pjesë aktive në vendimarrje. Aspekti tjetër i përjashtimit të anëtarit U.D nga votimi qëndron por para kësaj duhet të votohej rendit i ditës i ndryshuar dhe i votuar me shumicë dhe U.D duhej vetë përjashtuar por vetë përjashtimi nuk e zbret nivelin e kuorumit në 5 pasi prapë duhet me qenë 6 anëtarë prezent”, thuhet në vendimin e Supremes.
Supremja ka udhëzuar Këshillin Prokurorial të Kosovës që, në rishqyrtimin e rastit, të eliminojë të gjitha shkeljet procedurale, të thërrasë mbledhje me rend dite të qartë, të sigurojë njoftimin e të gjithë anëtarëve dhe kuorumin e nevojshëm, si dhe të bazojë çdo vendim eventual në dispozita të qarta ligjore dhe në vërtetim të plotë të gjendjes faktike.
“Udhëzohet Këshilli Prokurorial i Kosovës që të eliminon të metat që e kanë përcjellë vendimin e atakuar, të ftoj takim apo mbledhje me pikë përkatëse të rendit të ditës, të sigurohet se janë të njoftuar të gjithë anëtarët me datën e takimit/mbledhjes dhe pikën/at e rendit të ditës, të sigurohet kuorumi për mbajtje të takimit si parakusht për zhvillimin e takimit konform dispozitave në fuqi, të vërtetohet drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendja faktike dhe me rastin evendimmarrjes të zbatohet drejtë e drejta materiale”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.