Prokuroria Themelore në Prizren bashkë me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë natyrën dhe shëndetin e qytetarëve.
Siç bëhet e ditur në njoftim, më 4 qershor 2025, institucionet përkatëse realizuan një aksion të gjerë kundër degradimit të mjedisit, në kuadër të të cilit u arrestuan gjithsej 19 persona dhe u sekuestruan 40 mjete të përdorura për kryerjen e veprave penale. Pajisjet e sekuestruara përfshinin 10 kamionë, 15 eskavatorë dhe 15 makineri separimi, si dhe prova të tjera materiale. Vlera e përgjithshme e sekuestrimit u vlerësua rreth 2 milionë euro.
Megjithatë, më 17 dhjetor 2025, vetëm disa muaj pas këtij aksioni, është evidentuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit. Në orët e vona të natës, tre persona u arrestuan në flagrancë pasi dyshohet se tentuan të eksploatonin zhavorr në zonën përreth lumit “Drini i Bardhë”.
Në këtë rast, autoritetet kanë sekuestruar një kamion dhe një eskavator.
Personat e arrestuar ndodhen në ndalim prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, sipas nenit 338, si dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëme serioze për mjedisin dhe shëndetin publik.
Po ashtu, Prokuroria apelon te qytetarët dhe institucionet përkatëse për angazhim të përbashkët në mbrojtjen e mjedisit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit, si bazë për një të ardhme të qëndrueshme.