Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka dhënë detaje mbi organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës që ndodhen jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas Elezit, votimi në përfaqësitë diplomatike do të zhvillohet një ditë para zgjedhjeve, më 27 dhjetor, dhe do të ndjekë të njëjtat procedura si në vendvotimet në Kosovë.
Ai ka theksuar se janë regjistruar 19,267 qytetarë për këtë mënyrë votimi, ndërsa do të organizohen në 37 përfaqësi diplomatike, shumica në vende evropiane si Gjermania, Zvicra, Franca dhe Italia.
Vendi i parë që nis procesin e votimit është Australia.
Sipas tij, çdo qytetar që ka aplikuar për votim jashtë vendit ka marrë konfirmimin dhe emri i tij gjendet vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës.
Ndërsa, ata që nuk janë regjistruar për votim me postë ose në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë në vendvotimet në Kosovë.
Elezi ka treguar se çdo fletëvotim do të ketë QR kod për identifikim, për të parandaluar gabimet e evidentuara në zgjedhjet e mëparshme.
Materialet zgjedhore do të shtypen në Slloveni dhe dërgohen në qendrat e numërimit në komunat përkatëse para ditës së zgjedhjeve, për t’u shpërndarë në vendvotime në mëngjesin e 28 dhjetorit.