Lëvizjet e fundit nga Uashingtoni dhe Brukseli tregojnë se kanalet diplomatike po ecin në drejtime të kundërta sa i përket Bjellorusisë, duke nxjerrë në pah një ndarje gjithnjë e më të thellë në mes të aleatëve lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar siguria e Evropës.
Në njërën anë të Oqeanit Atlantik, Shtetet e Bashkuara po angazhohen me Minskun dhe udhëheqësin autoritar, Aleksandr Lukashenko, duke lehtësuar sanksionet në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë, përfshirë 123 persona që u liruan fundjavën e kaluar.
Kjo është në kontrast të madh me atë se çfarë po ndodh në Bruksel, ku zyrtarët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë të vendosin masa kufizuese që kanë në shënjestër Lukashenkon, aleatin e palëkundur të presidentit rus, Vladimir Putin.
Një linjë e re komunikimi
Mbështetësit e hapave të ndërmarrë nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, për të hapur dialogun me Minskun thonë se kjo është një strategji e qartë për të hapur një tjetër linjë komunikimi me Kremlinin, i cili është mbështetur në përkrahjen e Bjellorusisë në luftën kundër Ukrainës.
“Presidenti juaj [Lukashenko] ka një histori të gjatë me presidentin Putin dhe ka aftësinë ta këshillojë atë. Kjo është shumë e dobishme në këtë situatë”, tha i dërguari i Trumpit për Bjellorusinë, John Coale, pas zhvillimit të bisedimeve me Lukashenkon që çuan në lirimin e të burgosurve, duke theksuar se udhëheqësi bjellorus mund të jetë në gjendje t’ia ndryshojë mendjen Putinit sa i përket bisedimeve që po zhvillohen për dhënien fund të luftës në Ukrainë.
“Natyrisht, presidenti Putin mund të pranojë disa këshilla dhe të tjera jo. Kjo është një mënyrë për ta lehtësuar procesin”, shtoi ai.
Por, kritikët druajnë se po zhbëhen vite të tëra të presionit të koordinuar ndaj shtetit që ka përjetuar një shtypje brutale, shpesh vdekjeprurëse, të shoqërisë civile. Ata thonë se edhe kontaktet e kufizuara diplomatike mund t’i japin legjitimitet regjimit të Lukashenkos.
“Për BE-në, kopjimi i qasjes së Uashingtonit do të ishte strategjikisht i gabuar: për dallim nga SHBA-ja, BE-ja ndan një kufi me Bjellorusinë, përballet me rreziqe të menjëhershme të sigurisë nga prania ushtarake e Rusisë atje dhe tashmë ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në mbështetjen e forcave demokratike bjelloruse”, tha Giselle Bosse, profesoreshë në Universitetin Maastricht.
“Ajo që mund t’i shërbejë qëllimeve afatshkurtra diplomatike të SHBA-së, do të minonte strategjinë afatgjatë të BE-së dhe atë të bazuar në vlera”, shkroi ajo së voni.
Heqja e sanksioneve amerikane
Trump befasoi shumë kur foli me Lukashenkon përmes telefonit në gusht, pak para samitit të tij me homologun rus, Vladimir Putin, në Alaskë.
Kjo u pasua me heqjen e sanksioneve ndaj kompanisë ajrore bjelloruse Belavia, çka nënkuptonte se Qeveria amerikane lejon të gjitha entitetet dhe individët amerikanë të bëjnë biznes me këtë linjë ajrore kombëtare. Njëkohësisht, Minsku njoftoi lirimin, përmes faljes presidenciale, të 31 shtetasve ukrainas që ishin mbajtur në Bjellorusi. Ky ishte një nga një sërë lirimesh të të burgosurve gjatë vitit të kaluar.
Lirimi i fundit i të burgosurve ndodhi pasi Uashingtoni njoftoi për heqjen e sanksioneve ndaj eksporteve fitimprurëse të plehrave kimike të Bjellorusisë – përfshirë ndaj kompanisë së saj më të madhe, Belaruskali – të cilat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për regjimin e Lukashenkos.
Për Lukashenkon, që prej kohësh është kritikuar dhe është izoluar nga Perëndimi dhe është cilësuar diktator dhe aleat i palëkundur i Putinit, telefonata me Trumpin përbënte një arritje diplomatike.
Disa e kritikuan atë telefonatë, duke shprehur drojë se ajo i dha Lukashenkos hapin e parë drejt rikthimit në skenën diplomatike ndërkombëtare.
Por, mbështetësit e Trumpit dhe disa analistë e përshëndetën këtë hap, duke thënë se angazhimi ishte i domosdoshëm pas vitesh përpjekje për ta izoluar Bjellorusinë.
Mark Episkopos, studiues në Institutin Quincy për Qeverisje të Përgjegjshme dhe profesor i historisë në Universitetin Marymount në Virxhinia, e mirëpriti lirimin e të burgosurve më 13 dhjetor dhe angazhimin e përgjithshëm me Minskun, duke e quajtur atë “punë të domosdoshme për të çuar përpara, hap pas hapi, normalizimin e marrëdhënieve SHBA–Bjellorusi”.
“Mënyra më e mirë dhe e vetmja për t’u përballur me këto sfida është përmes dialogut të qëndrueshëm me Bjellorusinë, jo duke shtyrë për ndryshim të Qeverisë apo duke ndëshkuar Minskun derisa të shkëpusë lidhjet me Moskën”, shkroi ai së fundi.
“Diktatori i fundit i Evropës”
I cilësuar prej kohësh si “diktatori i fundit i Evropës”, Lukashenko ka ecur mbi një vijë të hollë mes Rusisë – partneres më të madhe tregtare të Bjellorusisë – dhe Perëndimit.
Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, në të cilat Lukashenko shpalli fitoren, grupet opozitare e konsideruan rezultatin si mashtrim dhe nxitën masive për javë të tëra. Forcat e sigurisë të Lukashenkos u përgjigjën me një shtypje brutale, duke arrestuar mbi 30.000 persona, shumë prej të cilëve raportuan për tortura dhe keqtrajtime gjatë paraburgimit.
Kjo shtypje detyroi shumicën e politikanëve opozitarë që të largoheshin nga Bjellorusia nga frika për sigurinë dhe lirinë e tyre. Ndërkaq, shumë qeveri perëndimore kanë refuzuar të njohin rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe nuk e konsiderojnë Lukashenkon si udhëheqësin legjitim të vendit.
Teksa Brukseli ka shënjestruar vendin dhe udhëheqjen e tij për shkelje të të drejtave të njeriut, për mbajtjen e anës së Rusisë në luftën kundër Ukrainës dhe për shtyrjen e migrantëve nga Azia dhe Afrika drejt kufijve të BE-së, blloku përmes një vendimi unanim më 15 dhjetor shtoi tri kritere të tjera për të shënjestruar regjimin e Lukashenkos.
Tani, bjellorusët mund të sanksionohen nëse vlerësohet se kanë planifikuar ose janë përfshirë në “manipulim të huaj të informacionit dhe ndërhyrje” brenda BE-së.
Ata gjithashtu mund të sanksionohen për veprime të shënjestruara “kundër funksionimit të institucioneve demokratike, aktiviteteve ekonomike ose shërbimeve të interesit publik të BE-së” dhe do të konsiderohet shkelje e ndëshkueshme hyrja e paautorizuar në territorin e bllokut evropian.
Kriteri i fundit është më i rëndësishmi, pasi është një përgjigje e drejtpërdrejtë e BE-së ndaj balonave meteorologjike që Bjellorusia i përdor zakonisht për kontrabandën e cigareve të falsifikuara, të cilat muajt e fundit kanë hyrë në Lituani dhe kanë ndërhyrë në trafikun e saj ajror.
Zyrtarë lituanezë i thanë së fundi Radios Evropa e Lirë se gjithsej 315 balona të paautorizuara kanë hyrë në këtë shtet nga Bjellorusia që nga muaji qershor, duke arritur numrin rekord në tetor me 71 shkelje të hapësirës ajrore.
Këto ndërhyrje i kanë detyruar dy aeroportet më të mëdha të Lituanisë, në Kaunas dhe Vilnius, të mbyllen përkohësisht 15 herë vetëm gjatë këtij viti, duke prekur mbi 320 fluturime dhe 45.000 pasagjerë.
Sipas disa zyrtarëve të BE-së me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, blloku do t’i rinovojë të gjitha sanksionet ndaj Bjellorusisë në javët në vijim, pasi të 27 shtetet anëtare të BE-së pajtohen se sanksionet duhet të mbahen në fuqi.
Gjithashtu, pritet që Vilniusi të propozojë sanksione të reja në fillim të janarit ndaj atyre që janë përgjegjës për inkursionet me balona, ndërkaq sanksione të tjera ekonomike ndaj Minskut pritet të përfshihen në paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, që pritet të miratohet afër përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, në fund të shkurtit.
Pas një takimi për çështje të jashtme të mbajtur në Bruksel këtë javë kur u pyet nëse BE-ja do ta shqyrtojë mundësinë që të ndjekë shembullin e SHBA-së dhe të lehtësojë sanksionet, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e hodhi poshtë këtë sugjerim.
“Përderisa kjo luftë vazhdon dhe Bjellorusia qartazi po e ndihmon Rusinë në përpjekjet e saj të luftës, si dhe në sulmet hibride kundër shteteve anëtare evropiane, qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë. Ne po vendosim më shumë sanksione ndaj Bjellorusisë për t’i ushtruar presion që të mos i përdorë këto taktika kundër nesh. Pra, po ua rrisim koston në mënyrë që ta ndryshojnë llogaritjen e tyre”, tha Kallas.
Disa diplomatë të BE-së, që folën në kushte anonimiteti, ishin po ashtu të bindur se hapat e SHBA-së nuk ndikuan aspak në mënyrën e të menduarit të Brukselit, dhe një prej tyre që shtoi se “SHBA-ja mund të ofrojë çfarëdo lehtësimi sanksionesh që dëshiron, [por] pa përfshirjen e BE-së, asgjë nuk do të ndodhë për një shtet pa dalje në det, sikurse Bjellorusia”.
Një tjetër argumentoi se për shkak se SHBA-ja nuk kufizohet me Bjellorusinë, ajo nuk e “ndien të njëjtin perceptim kërcënimi si Evropa”. Megjithatë, ai e pranoi se Uashingtoni me gjasë e sheh Lukashenkon si të dobishëm për të ndikuar te presidenti rus, Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve të SHBA-së për të arritur paqe mes Moskës dhe Kievit.