Turistët që vizitojnë Fontanën e famshme të Trevit në Romë do të duhet të paguajnë më shumë sesa hedhjen tradicionale të monedhës për fat të mirë, nëse duan të afrohen për një fotografi apo “selfie” për rrjetet sociale.
Duke filluar nga 1 shkurti, Bashkia e Romës do të vendosë një tarifë prej 2 eurosh për turistët që duan të afrohen pranë fontanës gjatë orëve të pikut të ditës.
Pamja nga sheshi mbi fontanë do të mbetet falas për të gjithë vizitorët, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Tarifa turistike u njoftua të premten dhe është pjesë e përpjekjeve të kryeqytetit italian për të menaxhuar fluksin e madh të turistëve në një nga zonat më të mbingarkuara të qytetit, për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe për të mbuluar kostot e mirëmbajtjes së trashëgimisë kulturore. Autoritetet vlerësojnë se masa mund t’i sjellë qytetit rreth 6.5 milionë euro shtesë në vit.
Vendimi vjen pas më shumë se një viti diskutimesh dhe ndjek modele të ngjashme të aplikuara në monumente të tjera, si Pantheoni në Romë, si dhe taksa ditore për turistët që Venecia vendosi vitin e kaluar për të luftuar mbingarkesën turistike dhe për ta bërë qytetin më të jetueshëm për banorët.
Ashtu si në raste të tjera, banorët e Romës do të përjashtohen nga pagesa. Gjithashtu, kjo masë shoqërohet me një taksë turistike dhe një biletë të re prej 5 eurosh për disa muze të qytetit, ndërkohë që autoritetet planifikojnë të zgjerojnë listën e muzeve që do të jenë falas për banorët e regjistruar të Romës.