Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar me sukses operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë, me ç’rast është arrestuar i dyshuari me inicialet R.H..
Sipas njoftimit, arrestimi është kryer në bazë të urdhrit të kontrollit dhe si rezultat i një hetimi të gjatë lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale, krim i organizuar, në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Operacioni është zhvilluar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe është rezultat i një procesi hetimor për një rast rrëmbimi që kishte ndodhur në vitin 2021.
Prokuroria bën të ditur se në lidhje me këtë rast, një person tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim.
Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit janë siguruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdimin e procedurës hetimore.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit.
