Autorët e dyshuar të sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach e kishin planifikuar atentatin për muaj me radhë dhe kishin kryer zbulim në terren dy ditë para sulmit, thuhet në dokumente të reja gjyqësore të publikuara nga policia australiane.
Sipas autoriteteve, dy personat e dyshuar hodhën mjete shpërthyese në fillim të sulmit dhe kishin ushtruar qitje me armë javë më parë. Dokumentet theksojnë se sulmi ishte planifikuar në mënyrë “metodike”.
Nga sulmi i ndodhur më 14 dhjetor gjatë një feste të Hanukës, u vranë 15 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Policia thotë se autorët përdorën edhe mjete shpërthyese të improvizuara, përfshirë një të ashtuquajtur “bombë në formë topi tenisi”, por asnjë prej tyre nuk shpërtheu.
Naveed Akram, 24 vjeç, është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për terrorizëm. Personi i dytë i dyshuar, babai i tij Sajid Akram, u vra nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit në vendin e ngjarjes.

Dokumentet u publikuan pasi u hoq një urdhër i përkohshëm ndalimi, i cili kishte për qëllim mbrojtjen e identitetit të të mbijetuarve. Ato përmbajnë edhe pamje video që tregojnë lëvizjet e të dyshuarve muaj, ditë dhe orë para sulmit.
Një video nga tetori përshkruhet si pamje ku dy të dyshuarit shihen para një flamuri të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), duke bërë deklarata për motivet e sulmit dhe duke dënuar veprimet e “sionistëve”, sipas policisë. Në të njëjtën video, Naveed Akram dëgjohet duke recituar një pjesë nga Kurani në gjuhën arabe.
Pamje të tjera tregojnë babë e bir duke kryer ushtrime me armë zjarri në një zonë rurale të Uellsit të Ri Jugor, ku shihen duke qëlluar me pushkë gjahu dhe duke lëvizur në mënyrë taktike.
Sipas policisë, pamjet e kamerave të sigurisë nga 12 dhjetori tregojnë dy persona që besohet të jenë autorët, duke lëvizur pranë Bondi Beach – pikërisht në zonën ku dy ditë më vonë do të ndodhte sulmi. Autoritetet e konsiderojnë këtë si provë të qartë të zbulimit dhe planifikimit të një akti terrorist.

Në orët e para të 14 dhjetorit, kamerat i kanë kapur duke dalë nga një banesë me qira në Campsie të Sidneit, duke transportuar armë dhe mjete shpërthyese të mbështjella me batanije. Sipas dokumenteve, në automjet u gjetën dy pushkë gjahu, një pushkë Beretta, katër mjete shpërthyese të improvizuara dhe dy flamuj të IS-it.
Rreth orës 18:50, ata mbërritën në Bondi, vendosën flamujt në xhamat e makinës dhe morën armët e mjetet shpërthyese, përpara se të drejtoheshin drejt një ure këmbësorësh. Nga aty, sipas policisë, hodhën tre bomba tubi dhe një bombë tjetër drejt turmës, pa shpërthyer, dhe më pas hapën zjarr.
Katërmbëdhjetë persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër vdiq më vonë në spital. Sajid Akram u vra gjatë përplasjes me policinë, ndërsa Naveed Akram u plagos rëndë, u lirua nga spitali të hënën dhe u transferua në burg./BBC