Shtatë elefantë të egër aziatikë, përfshirë edhe këlyshë, kanë humbur jetën pasi një tren ekspres me shpejtësi të lartë u përplas me një tufë elefantësh që po kalonin shinat hekurudhore në verilindje të Indisë.
Ngjarja ndodhi herët të shtunën në distriktin Hojai, në shtetin Assam. Sipas autoriteteve lokale, një këlysh tjetër elefanti mbeti i plagosur.
Hekurudha e Kufirit Verilindor njoftoi se drejtuesi i trenit kishte vërejtur dhjetëra elefantë në shina dhe kishte aktivizuar frenimin emergjent, por përplasja nuk u shmang plotësisht.
Si pasojë e aksidentit, pesë vagonë të trenit që po udhëtonte drejt Delhit dolën nga shinat. Megjithatë, nuk raportohet për të lënduar në mesin e pasagjerëve apo stafit.
Pas incidentit, disa linja hekurudhore në zonë u anuluan ose u devijuan përkohësisht. Elefantët e ngordhur u ekzaminuan nga veterinerët dhe më pas u varrosën.
Assam është një nga shtetet me popullsinë më të madhe të elefantëve në Indi, me rreth 6,000 individë të regjistruar.
Autoritetet hekurudhore theksuan se zona ku ndodhi aksidenti nuk është e identifikuar si korridor zyrtar për kalimin e elefantëve, ndonëse këto tufa shpesh kalojnë shinat në rajon.