Trump emëron të dërguar për Grenlandën, ‘tensione’ të reja me Danimarkën

Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur një përplasje të re diplomatike me Danimarkën, pasi ka emëruar një të dërguar të posaçëm të SHBA-së për Grenlandën – ishullin arktik për të cilin ai ka shprehur më herët interes për aneksim.

Trump njoftoi se guvernatori republikan i Luizianës, Jeff Landry, do të marrë rolin e të dërguarit të posaçëm për Grenlandën, e cila është pjesë gjysmë-autonome e Mbretërisë së Danimarkës.

Në një postim në rrjete sociale, Trump tha se Landry e kupton sa “thelbësore është Grenlanda për sigurinë kombëtare të SHBA-së” dhe se do të avancojë interesat amerikane.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra në Kopenhagë. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, e quajti emërimin “thellësisht shqetësues” dhe paralajmëroi Uashingtonin që të respektojë sovranitetin danez.

Ai konfirmoi se Danimarka do ta thërrasë ambasadorin amerikan për sqarime.

“Përderisa ekziston Mbretëria e Danimarkës, që përfshin Danimarkën, Ishujt Faroe dhe Grenlandën, nuk mund të pranojmë veprime që cenojnë integritetin tonë territorial,” tha Rasmussen për televizionin danez TV2.

Edhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reagoi duke theksuar se e ardhmja e territorit i përket vetëm popullit të tij.

“Ne vendosim vetë për të ardhmen tonë. Grenlanda u përket grenlandezëve dhe integriteti territorial duhet të respektohet,” deklaroi ai, duke shtuar se bashkëpunimi me SHBA-në është i mundur vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

Ndërkohë, vetë Jeff Landry shkroi në platformën X se është “nder” të shërbejë në një “pozitë vullnetare për ta bërë Grenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara”, duke theksuar se ky rol nuk do të ndikojë në detyrën e tij si guvernator.

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka rifreskuar interesimin e tij të vjetër për Grenlandën, duke përmendur pozicionin strategjik dhe pasuritë minerare të ishullit.

Ai madje nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin mbi territorin, qëndrime këto që kanë tronditur Danimarkën – aleate e NATO-s dhe partnere tradicionale e SHBA-së.

Grenlanda ka rreth 57 mijë banorë dhe gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në kompetencë të Danimarkës. Edhe pse shumica e grenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka në të ardhmen, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me SHBA-në./BBC

Të fundit nga rubrika