Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka deklaruar se veriu i Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë një problem i pazgjidhur institucional, duke u shfrytëzuar si zonë e favorshme për kontrabandë dhe forma të tjera të rënda të krimit të organizuar.
Në konferencën vjetore, Llugaliu tha se nga hetimet e zhvilluara nga Dogana e Kosovës, është konstatuar se rrugët ilegale në veri, përveç kontrabandës së mallrave, janë përdorur edhe për trafikim të qenieve njerëzore.
“Janë një mori e veprimeve që kanë ndihmuar. Pjesa e veriut ka qenë një problem i pazgjidhur kohët ë gjatë dhe është përdorur si strehë jo vetëm nga pjesa e kontrabandës por edhe e formave të tjera të krimit. Ne kemi pasë raste të hetimit për kontrabandë dhe kemi gjet që ajo pjesë është përdor edhe për trafikim të qenieve njerëzore. Kështu që të gjitha format e krimit e kanë pasë një shkallë më të lartë të sigurisë dhe normalisht që kanë ndiku edhe te pjesa e të hyrave”, tha Llugaliu.