Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pas vdekjes së Jahja Mustafës, babait të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Gucati ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen, duke theksuar se dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak se Mustafës nuk iu lejua ta vizitonte babain e tij në momentet e fundit të jetës.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur të ndjerin.
“Lajmi për vdekjen e Bacës Jahja Mustafa na preku thellë. Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur mendojmë se djali i tij, shoku dhe bashkëluftëtari ynë, po mbahet padrejtësisht nga Gjykata Speciale dhe nuk iu lejua mundësia ta vizitonte babain në momentet e fundit të jetës.
Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja.
Pusho në paqe, Bace!”, ka shkruar Gucati.