Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar se qumështi për foshnja “Aptamil AR 1” është vlerësuar si i sigurt për konsum dhe mund të shitet sërish në treg.
Sipas njoftimit, pas vendimit të mëhershëm për ndalimin e përkohshëm të këtij produkti, janë kryer analiza shtesë laboratorike, të cilat kanë konfirmuar se ai përmbush të gjitha standardet e sigurisë ushqimore.
AUV sqaron se masa e ndalimit ishte parandaluese dhe u ndërmor për mbrojtjen e shëndetit publik, pas një njoftimi nga autoritetet e Bashkimit Evropian lidhur me dyshime për praninë e një bakterie në një seri të produktit.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se ndalimi i përkohshëm i këtij produkti ishte masë parandaluese, e ndërmarrë për mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.
AUV thekson se do të vazhdojë monitorimin e produkteve ushqimore për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e konsumatorëve.