Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një mesazh për Krishtlindje raportohet se ka shprehur dëshirën për vdekjen e Vladimir Putinit, ndërsa Rusia vijon të bombardojë vendin me raketa dhe dronë.
Në një video të publikuar në X, natën e Krishtlindjes, Zelensky tha se “pavarësisht gjithë vuajtjeve që ka sjellë Rusia, ajo nuk është në gjendje të pushtojë apo të shkatërrojë atë që ka më shumë rëndësi. Kjo është zemra jonë ukrainase, besimi ynë tek njëri-tjetri dhe uniteti ynë”.
Duke iu referuar presidentit rus, Zelensky shtoi: “Sot, të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe bëjmë një dëshirë – secili prej nesh mund të mendojë për të: ‘U zhduktë. Por kur i drejtohemi Zotit, natyrisht, kërkojmë diçka më të madhe: paqe për Ukrainën. Ne luftojmë për të, lutemi për të dhe e meritojmë”.
Komentet e tij vijnë pas sulmeve me raketa dhe dronë të Rusisë në rajone të ndryshme të Ukrainës të martën, ku mbetën të vrarë të paktën tre persona dhe shkaktuan ndërprerje emergjente të energjisë.
Sulme të mëtejshme gjatë natës së Krishtlindjes shkaktuan të paktën dy të vdekur në Odesë dhe Harkiv.
Në fjalimin e tij, Zelensky tha: “Në prag të Krishtlindjes, rusët treguan sërish se kush janë vërtet. Bombardime masive, qindra ‘shaheds’, raketa balistike, goditje Kinzhal – u përdor çdo gjë. Kështu godasin ata pa Zot”.
Presidenti ukrainas gjithashtu tha se do të ishte i gatshëm të tërhiqte trupat nga zona industriale lindore e vendit si pjesë e një plani për të përfunduar luftën, nëse Rusia tërhiqet gjithashtu dhe zona bëhet një zonë e demilitarizuar e monitoruar nga forcat ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara kanë propozuar krijimin e një “zone ekonomike të lirë”, të cilën Zelensky tha se duhet të jetë gjithashtu e demilitarizuar.
Një marrëveshje e ngjashme mund të aplikohet edhe për zonën përreth uzinës bërthamore të Zaporizhias, aktualisht nën kontrollin rus. Çdo plan paqeje, sipas presidentit, duhet të miratohet me referendum.
