Gjyqtari Ngadhnjim Arrni është emëruar kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo u bë në mbledhjen e 357 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që u mbajt këtë të premte.
Për mandatin pesë vjeçar, Arrnin mori tetë vota “për”, një abstenim dhe asnjë kundër.
Deri më tani, Arrni ishte shef i Departamentit Special në këtë gjykatë.
Në konkurs ishin tre kandidatë, Alban Ajvazi, Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni.
Kush është Ngadhnjim Arrni?
Ngadhnjim Arrni është gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtari Arrni ka diplomuar në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës në vitin 2014.
Provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2016, ndërsa praktikën profesionale e ka mbajtur në periudhën e viteve 2014-2015 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nga viti 2016 deri më 2017 ka punuar si zyrtar ligjor në Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes programit të USAID – CLE. Gjithashtu në periudhën 2018-2019 ka punuar si Zyrtar i Lartë për Bashkëpunim Profesional në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Me datë 21.01.2019 Ngadhnjim Arrni është emëruar gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari Arrni në janar 2024 është avansuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe me datë 01 shkurt ka filluar punën si gjyqtarë në Departamenti Special, pozitë të cilën ende e mban.
