Kosova voton sot

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë sot (e diele) më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të gjitha përgatitjet janë përmbyllur për zhvillimin normal të procesit zgjedhor.

Sipas KQZ-së, votimi do të zhvillohet në 910 qendra votimi në mbarë vendin, ndërsa numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve. Rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00 të së dielës.

Zgjedhjet e parakohshme do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, pasi pas zgjedhjeve të shkurtit dështoi formimi i qeverisë së re. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë gjithsej 1,999,024 qytetarë.

Një ditë para votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se është bërë shpërndarja e të gjithë materialit zgjedhor. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se fletëvotimet dhe materialet e tjera janë dërguar nga depoja qendrore në qendrat komunale të numërimit dhe se të dielën në mëngjes ato do të shpërndahen në mbi 900 qendra votimi, të cilat do të hapen në orën 07:00.

Përveç vendvotimeve të rregullta, në secilën komunë do të funksionojë edhe nga një qendër për votim me kusht. Sipas KQZ-së, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra votimi me gjithsej 2,557 vendvotime, ndërsa votimi me kusht do të realizohet në 57 vendvotime të posaçme.

Numërimi i votave për partitë politike do të bëhet në vendvotime, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të zhvillohet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën më 29 dhjetor.

KQZ ka bërë të ditur se publikimi i rezultateve preliminare do të fillojë në platformën zyrtare para orës 20:00 të së dielës.

Procesi zgjedhor do të monitorohet edhe nga aspekti i sigurisë nga Policia e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, ku janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

Në cilësinë e vëzhguesve, përveç organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, zgjedhjet do të monitorohen edhe nga Këshilli i Evropës, i cili ka akredituar 23 vëzhgues.

Kosova gjatë këtij viti ka mbajtur edhe zgjedhje të tjera qendrore, si dhe zgjedhje lokale, të cilat janë zhvilluar në dy raunde.

Nga ora 19:00, si gjithmonë, rezultatet e EXIT POLL-it në TV Dukagjini, në bashkëpunim me UBO Consul

Nga ora 19:00, si çdo herë, në TV Dukagjini do të publikohen rezultatet e EXIT POLL-it, të realizuara në bashkëpunim me UBO Consulting.

Këto rezultate do t’i ofrojnë publikut një pasqyrë të parë orientuese mbi prirjet e votimit dhe ndarjen e votës, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, duke shërbyer si tregues paraprak deri në publikimin e rezultateve zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika