Trump paralajmëron Iranin, SHBA “gati për të vepruar” nëse vriten protestuesit 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar autoritetet iraniane që të mos përdorin dhunë vdekjeprurëse ndaj protestuesve paqësorë, duke deklaruar se Uashingtoni është i gatshëm të ndërhyjë nëse kjo ndodh.

Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, Trump shkroi se SHBA është “e armatosur dhe gati për veprim”, pa dhënë detaje të mëtejme mbi natyrën e mundshme të ndërhyrjes, shkruan BBC.

Deklarata e tij erdhi në mes të protestave masive që po zhvillohen në Iran prej gati një jave, të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike dhe rënia e vazhdueshme e monedhës vendase, rialit.

Sipas raportimeve, të paktën gjashtë persona janë vrarë vetëm të enjten gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Një këshilltar i lartë i liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi menjëherë ndaj deklaratës së Trumpit. Ali Larijani paralajmëroi se çdo ndërhyrje amerikane në çështjet e brendshme të Iranit do të sillte destabilizim të gjerë në Lindjen e Mesme dhe do të dëmtonte interesat amerikane në rajon.

Trump, në postimin e tij në platformën Truth Social, theksoi se nëse autoritetet iraniane “qëllojnë dhe vrasin dhunshëm protestuesit paqësorë”, SHBA “do t’u vijë në ndihmë”.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar muajt e fundit, veçanërisht pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor, të cilat, sipas zyrtarëve amerikanë, e kanë vonuar ndjeshëm programin bërthamor të Teheranit, një pretendim i mohuar nga Irani.

Si kundërpërgjigje, Irani kishte sulmuar me raketa një bazë të madhe ushtarake amerikane në Katar.

Në terren, protestat janë përhapur në disa qytete iraniane, përfshirë Lordegan, Azna dhe Kouhdasht, ku janë raportuar viktima.

Agjencia gjysmëzyrtare Fars nuk ka sqaruar nëse të vrarët ishin protestues apo pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut Hengaw ka identifikuar dy prej viktimave si protestues.

Pamje të verifikuara tregojnë përleshje të dhunshme, makina të djegura dhe përhapje të protestave edhe në Teheran e provinca të tjera. Demonstruesit kanë brohoritur kundër udhëheqjes fetare të vendit, ndërsa disa kanë kërkuar edhe rrëzimin e regjimit aktual.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se është i gatshëm të dëgjojë “kërkesat legjitime” të qytetarëve, por Prokurori i Përgjithshëm i Iranit ka paralajmëruar se çdo përpjekje për destabilizim do të përballet me një përgjigje të ashpër nga shteti.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika