Dalëngadalë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i nisur në 2023, po i shihet fundi.
Qindra dëshmitarë të prokurorisë, e dhjetëra të ekipeve mbrojtëse, u dëgjuan në gjykatore, në Hagë në Dhomat e specializuara për Kosovën, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Në shkurt të 2026 janë paraparë të jepen fjalët përfundimtare nga të gjitha palët, e më pas trupi gjykues e mbyll çështjen, ndërkohë që vendimi final i shkallës së parë, mund të jepet nga muaji mars deri në qershor, varësisht nga koha që kërkon gjykata.
Artan Qerkin, avokat i akredituar nga Specialja në Hagë, thotë se ky vendim ka rëndësi të veçantë për Kosovën.
“Vendimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm në shumë dimensione, në dimensionin historik, politik, juridik e kshtu me radhë. Natyrisht mbrojtja dhe gjithë të tjerët presin një verdikt të pafajësisë ju besoj e keni pa pas përfundimit të rastit të prokurorisë ka sjellë dëshmitarët e saj përmes së cilëve i ka rrëzuar të gjitha pretendimet faktike të prokurorisë, dhe mendoj se dëshmitarët ishin shumë kredibil edhe për shkak të posteve që i kanë mbajtë, në kohën kur është përpilu faza kohore e aktakuzës por edhe për shkak të faktit se ata kanë qenë protagonist të ngjarjeve të cilat po akuzohet z,Thaci dhe të tjerët, prandaj dëshmitë e tyre, nga gjykata do të vlersohen, si shumë kredibile”, tha Qerkini.
Teksa Qerkini thotë se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja e Thaçit, ishin të paktë në numër por më cilësor nga përmbajtja, edhe monitoruesit e kësaj gjykate thonë se do të kenë rol të rëndësishëm në fund.
“Tani më ky proces është duke shkuar drejt fundit dhe viti i ardhshëm do të jetë viti vendimtar ku do të merret aktgjykimi në shkallën e parë…Mbrojtja e Thacit ka propozuar një numër të limituar të dëshmitarëve, persona të cilët kanë pasur pozita të mëdhaja gjatë luftës së Kosovës, ka qenë gjenerali i NATO-s, diplomatë të tjerë amerikan dhe sigurisht që njohurit dhe dëshmia e tyre lidhur me strukturën organizative të UÇK-së, rolin e Thacit gjatë luftës do të ketë një peshë të caktuar”, tha monitoruesi, Amer Aliaj.
Në organizatën e veteranëve të UÇK-së, shpresojnë se katërshja që është në paraburgim në Hagë tash e 5 vite, në pranverën e 2026 të jenë në Kosovë të lirë.
“Vitin e ardhshëm shpresoj që do të jetë në anën tonë vit i mbarë, do ketë favore në drejtësi jo mena fal sic thash edhe më herët, ato që del e vërteta në shesh që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, presidenti, baci Jakup, Kadri Veseli edhe Rexhep Selimi do dalin të pafajshëm se ata nuk kanë qenë kriminel lufte, nëse ata kanë qenë kriminel lufte jam edhe unë, nëse ata janë, janë edhe dëshmorët mbi 3 mijë dëshmore që ka vendi jonë. Por jo ne kemi qenë një ushtri mund të them vullnetare…”, tha kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen nga për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të 2023 me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria, të cilët zgjatën deri në prill të 2025.
Më pas u hap rruga për të dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga ekipet mbrojtëse, e që mbrojtja e Hashim Thaçit arriti të sjellë në gjykatë personalitete të rëndësishme, përfshirë gjeneralin e NATO-s, Wesley Clark e ish-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, James Rubin.